Gjykata Speciale do të merret vetëm me individë

Sipas deputetit të LDK-së, Arben Gashi, Gjykata Speciale do të merret vetëm individë dhe jo UÇK-në në përgjithësi. Por, për Faton Topallin nga Vetëvendosje, miratimi i sotshëm në Kuvend është fillimi i njollosjes së luftës së UÇK-së.

Lajme

23/04/2014 19:24

Pas votimit për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe themelimit të Gjykatës Speciale, kjo e fundit ka lënë shumë diskutime dhe ide ende të hapura.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, i cili ka votuar të mërkurën pro themelimit të kësaj Gjykate, ka thënë se në rrethanat aktuale, është mbrojtur interesi i Kosovës.

Sipas tij, me votimin e sotëm në Kuvend nuk është formuar Gjykata Speciale por është ratifikuar marrëveshja që parasheh krijimin e një trupe hetuese.

 “Sot nuk është formuar Gjykata Speciale por është ratifikuar një marrëveshje, e cila parasheh krijimin e një trupe hetuese. Sot është vendosur krijimi i njësisë speciale për gjykimin e luftës së UÇK-së”, ka sqaruar Gashi në “InfoMagazinë” të Klan Kosovës.

Gashi ka thënë se Kosova nuk ka kapacitete njerëzore dhe institucione të afta për t’i gjykuar këto krime, gjersa ka sqaruar se kjo Gjykatë nuk do të merret me UÇK-në si tërësi, por me individë të cilët ajo do t’i vendosë përpara drejtësisë.

“Ne nuk kemi institucione të afta për të gjykuar këto krime”.

“Kjo nuk ka të bëjë me UÇK-në, kjo ka të bëjë me individë. Gjykata e individualizon, e gjen personin dhe e vë përpara drejtësisë”.

 “Gjykata nuk kolektivizon, raporti kolektivizon. Raporti i Dick Martyt është raport politik. Ndërsa Gjykata do të bëjë hetime nga prokuroria e cila do të ja paraqesë asaj. Nëse njësia special gjen ”.

“Në debatin për UÇK-në jeni të kujdesshëm se çfarë po flisni. Ne jemi të vetëdijshëm që në këtë përbërje ka pasur edhe grupe jashtë kontrollit. Ndoshta ndonjë grup jashtë UÇK-së i ka bërë këto gjëra”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Topalli, i cili dhënë votën kundër themelimit të kësaj gjykate, ka thënë se rezoluta e propozuar sot në Kuvendin e Kosovës nga Vetëvendosje paraqiste një alternativë të tretë, të cilën Kuvendi s’e morri parasysh.

 “Ka pasur edhe një alternativë të tretë, atë që e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje. Që, çështja e krimeve të luftës të merret vetë nga Gjyqësia e Kosovës, kjo është rruga e tretë. Ne si Lëvizje, jemi që këto të hetohen. Por, jemi për atë që këto raste t’i hetojmë vet”.

Topalli ka thënë se me votimin e sotshëm është treguar se vetëm partia e tij (Vetëvendosje) është treguar e mirëfilltë, gjersa, thotë për LDK-në e AAK-në se kanë votuar njëjtë sikur partia në pushtet.

“Mendoj se ka filluar rruga e njollosjes së UÇK-së. Vetëm nga raporti i Dick Martyt kur tha se ka pasur trafikim organesh. Kjo temë do të jetë vazhdimisht prezente, ku do të krijohet një imazh i keq për Kosovën”.

“Nga kjo Gjykatë nuk ka asnjë benefit. Ne nuk mund t’i themi askujt që ne jemi ata që këtë e kemi dëshiruar. Kjo është e dhunshme. Kështu po tregojmë që ne jemi instrument i dikujt”, ka përfunduar fjalën Topalli në Klan Kosova.