Gjykata Speciale, çështja kryesor e diskutimit në mes të Mustafës dhe Nulandit

Kryeministri Isa Mustafa ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, e cila ka filluar turnin e saj në Ballkan.

Lajme

12/07/2015 17:46

Mustafa dhe Nuland, siç thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, kanë biseduar për zhvillimet vend e rajon, proceset integruese rajonale dhe euroatlantike, si dhe për progresin në Dialogun për normalizimin e relacioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri Mustafa dhe Ndihmës Sekretarja Nuland biseduan edhe për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe rëndësinë e madhe që ka për Kosovën themelimi i tyre, pasi që kjo dëshmon se Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj, për të përmbushur obligimet ndërkombëtare si dhe për të ecur përpara në integrimet euroatlantike”, thuht në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Sipas këtij njoftimi, Mustafa, ka premtuar që Kosova do tëi marrë të gjitha obligimet nërkombëtare.

“Në këtë kontekst, Kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosova do t’i marrë të gjitha obligimet që ka dhe do të ecë sigurt në rrugën e saj drejt të ardhmes euroatlantike”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas njoftimit, Isa Mustafa, ka njfotuar Victoria Nulandin edhe për hapat e qeverisë në zhvillimin ekonomik dhe luftimin kundër korrupsionit.

“Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland edhe për hapat konkret që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, vlerësoi progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.