Gjykata ngrin pronat e Leka Zogut II

Princi Leka ka humbur gjyqin kundër një banke të nivelit të dytë, ku ai kishte marrë kredi në shumë prej 518 mijë euro dhe nuk i kishte shlyer këstet.

Lajme

06/04/2014 17:15

Leka Zogu II, i njohur si princi Leka, ka humbur gjyqin kundër një banke të nivelit të dytë ku ai ka marrë një kredi prej 518 mijë eurosh. Palë tjetër kundërshtare e Zogut në këtë proces ishte edhe një shoqëri përmbarimore, e cila kishte lëshuar ndaj tij një urdhër për sekuestro konservative, “ngrirje” të katër pronave të paluajtshme të tij në Tiranë, njofton gazeta Panorama.

Urdhri për “ngrirjen” e pronave të familjes mbretërore, që daton më 6 dhjetor 2013, është lëshuar për shkak të mosshlyerjes së kësteve të kredisë nga ana e Leka Zogut II.

Në vendimin e saj gjykata rrëzoi pretendimet e Zogut, i cili kërkonte kundërshtimin e këtij urdhri. Sipas të dhënave, kredia prej 518 mijë eurosh është marrë në vitin 2009. Për shkak të mospagesave të kësteve të saj, në vitin 2012 Gjykata e Tiranës lëshoi urdhër për ekzekutimin e saj.

Garanci për këtë kredi nga ana e Zogut ishte lënë një pasuri në bregdet në pronësi të K. K., 180 mijë metra katrorë truall, në Vlorë.

Por, në zbatim të një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2004, kjo sipërfaqe përfshihej në një rezervat natyror të mbrojtur nga shteti dhe nuk mund të tjetërsohej. Në këto kushte, në dhjetor të vitit të kaluar, shoqëria përmbarimore ka urdhëruar vendosjen e sekuestros në katër pasuri të tjera. Ky ka qenë edhe urdhri i kundërshtuar në gjykatë nga ana e Zogut. Palë të paditura në proces ishin shoqëria përmbarimore dhe banka e nivelit të dytë.