Gjykata në Gjakovë dënon të akuzuarit për narkotik

Të akuzuarit Beatris Smajlaj dhe Fatlind Kurmekaj janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Gjakovë për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Lajme

24/05/2018 19:37

Pasi që mbrojtësit e të akuzuarve në seancën e kaluar i kishin propozuar Gjykatës marrëveshje për pranimin e fajësisë, të akuzuarit u pyetën nga gjyqtari Shaqir Zika nëse marrëveshjen e kanë bërë me vullnet të plotë dhe pa presion.

Prokurori Agron Matjani lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë nga të akuzuarit deklaroi se që të dy e kanë pranuar se kanë kryer veprën penale të mbajtjes së narkotikëve dhe se kjo marrëveshje është lidhur konform dispozitave ligjore, andaj i propozoi Gjykatës që ta aprovojë këtë marrëveshje.

Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Prek Kola dhe Meshar Selimaj, deklaruan se marrëveshja është e lidhur me vullnetin e plotë të të akuzuarve.

Pastaj, gjyqtari i çështjes shqiptoi dënimin me burg për të akuzuarin Beatris në kohëzgjatje prej 9 muajve dhe nga ky burgim do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak ndërsa pjesa e mbetur e dënimit të tij do të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 2.000 euro si dhe dënimin me gjobë prej 800 euro, ndërsa për të akuzuarin e dytë Fatlind shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 9 muajve në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak si dhe dënimin me gjobë në shumë prej 800 euro.

Po ashtu, Gjykata vendosi që të akuzuarve t’u ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata e Gjakovës u kishte caktuar paraburgimin në kohëzgjatje prej 1 muaj, mirëpo e njëjta masë ishte zëvendësuar me arrest shtëpiak.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Beatris dhe Fatlind, në bashkëkryerje dhe pa autorizim kanë poseduar substancë narkotike dhe atë me qëllim të shitjes, në atë mënyrë që në muajin shkurt të këtij viti, hetuesit e njësitit për hetimin e trafikimit me narkotik DHTN te pallati “Asim Vokshi” në Gjakovë kanë hasur të pandehurit, të cilëve u është bërë kontrolli dhe janë bastisur.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Beatris kishte pasur qese të mbushura me substanca narkotike në peshë prej 84.11 gramë, ndërsa i pandehuri Fatlind peshën prej 18.11 gramë.