Gjykata merr vendim për Vesel Veselin dhe Shkelzen Xhekajn

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka lënë në paraburgim policin Vesel Veseli dhe arsimtarin, Shkelzen Xhekajn, si të dyshuar për abuzim seksual me të miturën nga Drenasi.

Lajme

21/02/2019 14:22

Gjykata e Apelit, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka refuzuar si të pa bazuara, ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, për të  pandehurit Vesel Veseli dhe Shkelzen Xhekaj.

Në këtë mënyrë, gjykata ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 07.02.2019 dhe 09.02.2019.

“I pandehuri V.V.po dyshohet nga ana e prokurorisë se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin” nga neni 239 paragrafi 1. i Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK) dhe veprën penale “Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë” nga neni 184 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe 33 të këtij kodi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Ndërsa i pandehuri Sh.Xh. po dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim seksual duke përdorur pozitën, autoritetin apo profesionin” dhe veprën penale “Nxitje e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë” nga neni 240  i KPRK-së.

Gjykata e Apelit, gjen se gjykata e shkallës se parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme, mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tyre, konform dipspozitave të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës se Kosovës. /Lajmi.net/