Gjykata Kushtetuese mund të suspendojë përkohësisht veprimet e mëtejshme të Kuvendit

Neni 116 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 2, parasheh suspendimin e përkohshëm të veprimit ose ligjit të kontestuar para Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që nesër PDK-ja pritet ta dorëzojë në Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimeve të seancës konstituive të së enjtes.  

Lajme

18/07/2014 00:06

Neni 116 [Efekti Juridik i Vendimeve], në paragrafin e tij të dytë të Kushtetutës, thotë: “Përderisa procedura të mos përfundojë para Gjykatës Kushtetuese, ajo mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar mund të shkaktojë dëme të pariparueshme”.

Nisur nga ky nen i Kushtetutës së vendit dhe kërkesa e paralajmëruar e Partisë Demokratike të Kosovës për dorëzimin në Kushtuese të shqyrtimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së seancës konstituive të së enjtes të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese të premten, ose javën tjetër mund të vendosë për masën e suspendimit të veprimeve të mëtejshme në Kuvend, ku ka mbetur të zgjidhet Kryesia dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë, kurse në fazë të mëtejshme edhe caktimi i mandatarit dhe votimi i qeverisë së re.

Pra, ende asgjë nuk është e sigurt, pasi që Gjykata Kushtetuese pritet nesër ta pranojë  kërkesën e PDK-së dhe të fillojë shqyrtimin e saj, kurse në ndërkohë edhe të vendosë për suspendimin e veprimeve të mëtejshme deri në marrjen e vendimit për çështjen e kontesutar nga ana e PDK-së.