Gjykata Kushtetuese mbetet ‘dera e vetme’ e LDK-së për të kërkuar rinumërim në Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte refuzuar ta pranonte vendimin e Gjykatës Supreme, që morri vendim që të mos rinumërohen votat në Prishtinë.

Lajme

27/11/2017 13:26

Kjo parti përmes një komunikate e kishte konsideruar si të pa argumentuar vendimin e Supremes.

Ndërsa asambleistja e LDK-së Vlora Dumoshi përmes një statusi në Facebook kërkoi hapjen e kutive në Prishtinë.

Por të gjitha këto po konsiderohen të parealizueshme nga politologu Ramush Tahiri.

Ai po thotë se proceduralisht dhe ligjërisht janë mbyllur çështjet.

“Mendoj se LDK-ja i dinë procedurat, sepse vendimi i Gjykatës Supreme është marrë dhe nuk shkon më lart, mund të kontestohet në Kushtetuese, por për mendimin tim, nuk është për Kushtetuese, mirëpo LDK i ka juristët dhe do ta dërgojë këtë çështje”, ka thënë Tahiri për lajmi.net.

Tahiri konsideron se proceduralisht çështja është mbyllur, por politikisht ka mospajtime.

“Mendoj se është një opinion politik që me tregu se LDK-ja e konsideron se ka pasur keqpërdorime dhe nuk pajtohet me rezultatin, por proceduralisht çështja është përmbyllur”.

Ndërsa në LDK nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, pasi sot do të ketë mbledhje Kryesia e kësaj partie dhe do të dilet me një qëndrim.

Dy partitë politike, PDK e LDK po kërkojnë rinumërim të votave në Prishtinë e Prizren.

Në të dy këto komuna rezultati ka qenë i ngushtë në mes partive politike./Lajmi.net/