Gjykata Kushtetuese hedh poshtë kërkesën e ish-prokurores, Vahide Badivuku

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e ish-prokurores Vahide Badivuku, në të cilën kjo e fundit kontestonte propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe dekretin e Presidentit për shkarkimin e saj.

Lajme

25/04/2018 14:24

Ndonëse, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se ish-prokurorja Badivuku ishte palë e autorizuar në këtë rast, e njëjta ka vendosur se kërkesa e saj është qartazi e pabazuar.

Ish-prokurorja Badivuku pretendonte se me vendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenin 102 (2) dhe (5) të Kushtetutës, i cili “siguron qasje të barabartë në gjykata” dhe garanton “të drejtën e ankesës ndaj një vendimi gjyqësor”.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka deklaruar se në rastin konkret, parashtrueses së kërkesës nuk i është cenuar kjo e drejtë.

“Në këtë drejtim, Gjykata konsideron se e drejta për qasje në gjykatë nuk është dhe nuk mund të jetë absolute. Në të vërtetë, ajo ka qenë subjekt i kufizimeve (sidomos kur është fjala për supozimet lidhur me pranueshmerinë e mjeteve juridike), pasi qe kërkon rregullimin e shtetit sipas natyrës së vet, i cili ka një liri të caktuar vlerësimi në këtë drejtim. Megjithatë, kufizimet e tilla nuk do të zvogëlojnë qasjen në gjykatë në mënyrë të tille apo në një mase të tillë qe të shkelet thelbi i “së drejtës në gjykatë”. Kufizimet e tilla gjithashtu nuk do të konsiderohen në pajtim me nenin 54 të Kushtetutës, përveç nëse ato janë të parapara për arritjen e një qëllimi legjitim ose nuk ka marrëdhënie të arsyeshme të proporcionalitëtit ndërmjet mjeteve të shfrytëzuara dhe qëllimit të synuar. Gjykata Kushtetuese vëren se parashtruesja e kërkesës kishte qasje në Gjykatën Supreme, por vetëm në masën në të cilën ankesa e saj ishte hedhur poshtë si e palejueshme. Gjykata Supreme, duke interpretuar Kushtetutën, konsideroi se e drejta për të parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme në rast të shkarkimit nga detyra u është dhënë gjyqtarëve, por jo prokurorëve. Prandaj, Gjykata konsideron se parashtrueses së kërkesës nuk i ishte mohuar e drejta e qasjes në Gjykatë, ndërsa ankesa e saj ishte refuzuar për shkaqe procedurale. Parashtruesja e kërkesës mund ta kishte realizuar të drejtën e saj për mjet juridik në një gjykatë tjetër kompetente, në pajtim me ligjin e aplikueshëm”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ish-prokurorja Badivuku ka qenë prokurore në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Më 23 shtator 2015, Komisioni Disiplinor në Këshillin Prokurorial të Kosovës “vërtetoi se prokurorja Vahide Badivuku, ka kryer sjellje të pahijshme profesionale” dhe shqiptoi masën disiplinore të suspendimit pa pagesë.

Më 5 tetor 2015, Badivuku parashtroi ankesë pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës “për shkak të vërtetimit të gabuar apo provave jo të plota të situatës faktike dhe zbatim i gabuar të ligjit për sanksionin”.

Më 8 tetor 2015, KPK  e refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar.

Me 17 nëntor 2016, Komisioni Disiplinor i shqiptojë masën disiplinore Propozim [Presidentit të Republikës] për largim nga detyra e Prokurorit të Shtetit (për shkak se është shpallur fajtore për vepër penale “marrje e ryshfetit” dhe veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar si edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit në Administratën Publike ose shërbimin publik për periudhën kohore prej 3 (tri) viteve).

Komisioni Disiplinor e bazoi vendimin e tij duke iu referuar Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR. nr. 652/2015, të 5 prillit 2016, me të cilin Badivuku është shpallur fajtore për veprat penale për të cilat akuzohej dhe është vërtetuar Aktgjykimi i Gjykatës se Apelit, PAKR. 350/2016, të 19 shtatorit 2016.

Me 9 dhjetor 2017, Badivuku parashtroi ankesë në Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke pretenduar qe Komisioni Disiplinor i Këshillit Prokurorial të Kosovës, me rastin e nxjerrjes se vendimit, ka shkelur dispozitat e procedurës disiplinore, nuk ka vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, e mos të flasim për shqiptimin e masës disiplinore propozimi për largim nga detyrat e Prokurorit të Shtetit”.

Badivuku pretendoi se ajo ende nuk i kishte shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion dhe se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër aktgjykimeve të lartpërmendura të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit ende ishte në pritje pranë Gjykatës Supreme.

Me 21 dhjetor 2016, KPK hodhi poshtë si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi vendimin e Komisionit Disiplinor.

Përveç kësaj, KPK-ja i rekomandojë Presidentit ta shkarkojë Vahide Badivuku nga detyra e prokurores.

Me 17 janar 2017, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nxori dekret me anë të së cilit Vahide Badivuku shkarkohet nga funksioni i prokurores se shtetit.

Më 27 janar 2017, Badivuku parashtroi ankesë në Gjykatën Supreme kundër vendimit të KPK-së dhe Dekretit të Presidentit të Republikës se Kosovës, duke pretenduar që “kanë shkelur të drejtën materiale, përkatësisht dispozitat e Kushtetutës me rastin e shqiptimit të masës disiplinore, propozim për largim nga detyra e Prokurorit të Shtetit”.

Badivuku pohoi që KPK ”fare nuk priti që unë t’i shfrytëzoj të gjitha mjetet e jashtëzakonshme juridike, siç është kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, e cila është në procedurë të vendosjes pranë Gjykatës Supreme të Kosovës”.

Me 8 shkurt 2017, Gjykata Supreme refuzoi ankesën e Badivukut si të palejuar, sepse “sipas nenit 104, pika 5, të Kushtetutës se Republikës se Kosovës, gjyqtarët kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimit mbi shkarkim drejtpërdrejt në Gjykatën Supreme të Kosovës” ndërsa në asnjë dispozitë kushtetuese apo në ndonjë ligj tjetër nuk është paraparë “e drejta e ankesës drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme të Kosovës kundër një vendimi të Këshillit Prokurorial të Kosovës apo vendimit për shkarkim “.

Lidhur me këtë çështje, ish-prokurorja Badivuku pretendonte se të njëjtës i janë shkelur të drejtat të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Badivuku gjithashtu pretendonte se vendimi i kontestuar është nxjerrë edhe pse “procedura penale ende nuk ka përfunduar në të gjitha instancat gjyqësore pasi që lënda gjendej në Gjykatën Supreme, sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë dhe kështu nuk është vërtetuar fajësia.

Përveç kësaj, Badivuku konsideron që Gjykata Supreme ka bere shkelje të se drejtës për qasje në gjykatë, pasi që në ketë mënyre dështoi që të merret me rastin e një shkeljeje individuale dhe kjo e ndërlidhë edhe shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në fund, Badivuku kërkon nga Gjykata të vërtetojë se është shkelur e drejta e saj për qasje në gjykatë dhe që kjo çështje të kthehet në Gjykatën Supreme për ta shqyrtuar çështjen e vendimeve disiplinore dhe dekretin e shkarkimit.

Ndryshe, prokurorja Badivuku, ishte dënuar me tre vjet burgim  për marrje të ryshfetit, në prill të vitit 2016, ndërsa më pas ky dënim i ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Ndaj këtij vendimi, mbrojtja e Badivukut ishte drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Gjykata Supreme e Kosovës, e kishte kthyer në rivendosje në Gjykatën e Apelit rastin e ish-prokurores, Vahide Badivuku.

Gjykata Supreme e ka kthyer në rivendosje rastin e ish-prokurores së dënuar për korrupsion, Vahide Badivuku.

Supremja kështu ka aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së paraqitur nga ana e të dënuarës Vahide Badivuku.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e konfirmoi zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari.

Jashari tha se vendimin e Supremes, Apeli e ka pranuar më 10 prill 2018.

Gjykata e Apelit, në qershor të vitit të kaluar i kishte refuzuar si të pabazuar ankesat e Prokurorisë Speciale dhe avokatit mbrojtës, duke ia vërtetuar të akuzuarës Vahide Badivuku, dënimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore e Prishtinë më 5 prill 2016.

Ish-prokurorja Badivuku, ishte dënuar me tre vjet burgim, për veprën penale “marrje e ryshfetit”.

“Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e  Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe avokatit mbrojtës në çështjen e të akuzuarës V.B., duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, te datës 05.04.2016”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apelit kishte ricilësuar veprën penale për dy të akuzuarit, Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, nga vepra penale ushtrim ndikimi në dhënie ryshfeti.

“Kolegji gjyqësor i Gjykatës së Apelit, i ka ri cilësuar veprimet e dy të akuzuarve tjerë të këtij rasti I.K. dhe I.S. nga ‘Ushtrim ndikimi’ në ‘Dhënie ryshfeti’. I pari është dënuar me një vjet burgim, ndërsa të dytit i është vërtetuar dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh” – thuhej në vendimin e Apelit.

Prokurorja Badivuku, ishte dënuar me tri vite burgim  për marrje të ryshfetit në prill të vitit 2016, ndërsa më pas ky dënim i ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Ndaj këtij vendimi, mbrojtja e Badivukut ishte drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Gjykata Supreme e Kosovës, e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën e Apelit rastin e ish-prokurores, Vahide Badivuku.

Ish-prokurorja Badivuku, në prillin e vitit të kaluar ishte dënuar me tre vjet burg dhe tre vjet ndalim i ushtrimit të profesionit për shkak të kryerjes së veprës penale të “marrjes së ryshfetit”.

Bashkë me Badivukun akuzoheshin edhe Idriz Kelmendi dhe Isuf Smakolli.

Kelmendi ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim për veprën penale “ushtrim i ndikimit”, ndërsa Smakolli, ishte dënuar me gjobë prej tre mijë eurove, si  dhe është obliguar të kthejë 4 mijë eurot e ryshfetit.

Ndërsa, Vahide Badivuku dhe Idriz Kelmendi ishin detyruar të paguajnë gjobën prej 5 mijë eurove brenda 30 ditëve.

Akuza ndaj Vahide Badivukut ishte ricilësuar, duke eliminuar veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës zyrtare” dhe duke mbetur “marrja e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës së ngritur fillimisht prej prokurorit special Admir Shala nga PSRK-së, Vahide Badivuku, akuzohej se ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, sipas nenit 428,par  të KPRK-së  dhe “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, ku në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe pranuar dhuratë për vete, në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën zyrtare, në atë mënyrë që në bashkëpunim me të akuzuarin Idriz Kelmendi, duke vepruar si prokurore e çështjes penale PPI.nr.298/2014, kundër të pandehurve Esan, Hasan, Arton dhe Dritan Hasani ,në shkëmbim të lirimit nga masa e paraburgimit dhe të të pandehurve Esan dhe Dritan Hasani, ka kërkuar dhe ka marr nga familja Hasani, shumën e të hollave prej 10.000 eurove, përmes të akuzuarit Idriz Kelmendi, po ashtu e njëjta në kundërshtim me Kodin  e Procedurës Penale ka përpiluar kërkesën për kthimin e sendeve të sekuestruara, në shumën prej 22.000, ndërsa dy të akuzuarit tjera Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, kanë kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit”./betimiperdrejtesi.com