Gjykata i cakton një muaj paraburgim vëllait të Enver Sekiraqës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaj ndaj vëllait të Enver Sekiraqës, Naser Sekiraqa dhe Fatlum Abazit për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale, vrasje e rëndë në tentativë dhe bashkëkryerje.

Lajme

18/06/2018 12:28

Në njoftimin e Gjykatës Themelore thuhet se është konstatuar se me datën 12 qershor të këtij viti rreth orës 17:15 minuta, përballë gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, të pandehurit N.S dhe F.A në bazë të marrëveshjes paraprake kishin tentuar që ta privojnë nga jeta tani të dëmtuarin Z.J dhe njëkohësisht kanë rrezikuar edhe jetën e N.U për shkak të një konflikti të mëhershëm.

Tutje, në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se të pandehurit kishin shfrytëzuar momentin përderisa kishte qenë kolonë në rrugë dhe njëri nga ta ishte afruar tek pasagjeri i automjetit, dhe pasi që dritarja e automjetit kishte qenë e hapur, kishte futur dorën brenda në veturë dhe me armë zjarri kishte shtënë 13 herë në drejtim të të dëmtuarit Z.J, me ç’rast të dëmtuarve iu kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe të pandehurit me shpejtësi ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për  caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.S dhe F.A është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit./Lajmi.net/