Gjykata e Tiranës lë në burg drejtorin e tatimeve

Drejtori Rajonal i Tatimeve të Tiranës, Androkli Kokthi, do të vijojë të hetohet nën masën “arrest me burg”. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Tiranës, duke pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë. Vendimi u mor me dyer të mbylluara nga gjyqtarja Arjana Caco.

Lajme

21/02/2016 09:04

 

Pas përfundimit të seancës, avokati i Androkli Kokthit tha se do ta ankimojnë vendimin duke mohuar akuzat e prokurorisë. Kokthi akuzohet nga Prokuroria për shpërdorim detyre të ndodhur gjatë muajve mars-prill të vitit 2015.

Prokuroria ka ngritur akuzën se Androkli Kokthi ka shfuqizuar procesverbalin e konfiskimit të mallit, i cili rezultonte pa faturë tatimore, duke ia kthyer sërish subjektit, që zhvillonte aktivitetin tregtar në fushën e pjesëve të këmbimit për automjete. Po dje prokuroria bëri publik urdhërndalimin e nënshkruar nga prokurorja Elsa Miha, në të cilin bëhen të ditur katër arsyet e ndalimit që japin dyshime të forta së Drejtori i Tatimeve ka shkelur ligjet duke shpërdoruar detyrën: Sipas saj, drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore, Tiranë, Androkli Kokthi, nuk ka kompetencë ligjore për të shfuqizuar procesverbalin e konfiskimit të mallit nga inspektorët e hetimit tatimor. Procedura e kthimit të mallit është kryer tej çdo afati të parashikuar nga ligji.

Kërkesa e subjektit (nëse ekziston) rezulton të jetë kryer pas kalimit të afatit 1 mujor që ligji parashikon dhe përtej këtij afati rezulton edhe urdhri për kthimin e mallit të konfiskuar. Nuk rezulton as ankesë, as kërkesë e subjektit, përveç faktit që është regjistruar në librin e protokollit. Nëse do të marrim të mirëqenë faktin që kërkesa ka qenë për parablerje të mallit të konfiskuar, atëherë edhe shqyrtimi i saj sërish nuk është kompetencë e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, por e Komisionit të posaçëm të ngritur për këtë qëllim në bazë të urdhrit nr. 17555 prot datë 26.06.2014 të Drejtores së Përgjithshme të Tatimeve, i cili nuk rezulton të jetë mbledhur. Përveç kësaj, në bazë të nenit 121 e vijues të Ligjit nr 9930 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në R.Sh” subjekti do të duhej të paguante edhe vlerën e mallit të konfiskuar, në shumën 3.969.680 lekë, dhe malli do t’i kthehej pasi të dorëzonte mandat pagesën përkatëse.

Vendimi i Drejtorit Androkli Kokthi për shfuqëzimin e procesverbalit të konfiskimit, nuk rezulton i protokolluar dhe administruar rregullisht në praktikën përkatëse të subjektit. Sipas këtyre arsyeve, prokuroria ka dyshime të forta se Androkli Kokthi ka shpërdoruar detyrën dhe duhet të qëndrojë nën masën arrest më burg pasi në të kundërt mund t’i shmangej hetimeve. Drejtori Rajonal i Tatimeve të Tiranës u arrestua ditën e enjte nga Policia e Tiranës nën akuzën shpërdorim detyre. Pas kontrollit të kryer në dyqanin e Lubjana Baçit policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme malli të pashoqëruar me dokumentacion hetimor. Gjithashtu dhe vetë Lubjana Baçi ka pranuar se malli i është kthyer mbrapsht nëpërmjet një shkrese të firmosur nga Androkli Kokthi. Nëpërmjet kësaj shkrese shfuqizohej procesverbali i konfiskimit duke ja dërguar mallin bashkëshortit të administratores të subjektit, Alfred Baçi, njëkohësisht punonjës në këtë subjekt. Sipas hetimeve, në regjistrin e protokolleve është e regjistruar kërkesa e Lubjana Baçit, por kjo kërkesë nuk ekziston as origjinale dhe as ndonjë kopje e saj. Gjithashtu në regjistrin e protokollit nuk është gjetur numri i protokollit të shkresës së lëshuar nga Drejtori i Tatimeve për shfuqizimin e konfiskimit të mallit./Shekulli