Gjykata e Indisë ndalon “divorcin e menjëhershëm” të myslimanëve

Gjykata e lartë e Indisë konstatoi se praktika e divorcit të menjëhershëm të myslimanëve është jokushtetuese, duke shënuar një fitore të madhe për aktivistet e të drejtave të grave.

Bota

22/08/2017 14:56

Gjykata tha se praktika e tillë është “joislamike”.

India është një nga pak vendet ku një burrë mysliman mund të divorcojë gruan brenda pak minutash, duke thënë fjalën “talaq” apo divorc tri herë.

Vendimi historik i gjykatës vjen në përgjigje të peticioneve që e kundërshtonin këtë praktikë.

Rasti është ngritur nga pesë gra që janë divorcuar në këtë mënyrë dhe nga dy grupe për të drejta të njeriut.

I ashtuquajturi divorc “talaq” nuk përmendet në Ligjin e Sheriatit apo në Kuran, por praktika e tillë ka ekzistuar me dekada.

Shumica e vendeve myslimane, përfshirë Pakistanin dhe Bangladeshin, e kanë ndaluar divorcin talaq, por zakoni ka vazhduar në Indi, ku nuk ka ligje uniformë mbi martesën dhe divorcin, të cilat do të zbatoheshin për çdo qytetar.