Gjykata e Hagës mund të lejojë video-telefonatat për të pandehurit

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë po prezanton një projekt pilot që do t’u mundësojë të pandehurve që mbahen në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së OKB-së të bëjnë video-telefonata.

Lajme

21/10/2017 09:16

Sekretariati në Mekanizmin për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, i cili është pasardhësi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, lajmëroi të premten se së shpejti do të nisë një projekt pilot për t’u bërë të mundur të pandehurve të kryejnë video-telefonata.

Për momentin, të paraburgosurit lejohen vetëm të marrin dhe dërgojnë letra, të bëjnë telefonata dhe të presin vizitorë.

Ish-lideri politik serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq i ka kërkuar gjykatës në disa raste që ta lejojë atë të përdorë Skype ose mjete të tjera komunikimi me video.

Avokati mbrojtës i Karaxhiqit, Peter Robinson, tha për BIRN se njerëzit që mbahen në burgje të tjera në Holandë dhe në vende të tjera në Europë mund të kontaktojnë me video me anëtarët e familjes.

“Vendimi i sekretariatit për të nisur projektin pilot, i cili do t’u bënte të mundur të ndaluarve të shikonin familjet e tyre nëpërmjet Skype ose teknologjive të tjera të ngjashme, është padyshim një hap përpara në krijimin e kushteve njerëzore në paraburgim”, tha Robinson.

“Kjo është shumë e rëndësishme kur të paraburgosurit janë larg anëtarëve të tyre të familjes, siç është rasti i Radovan Karaxhiqit”, shtoi ai.

Gjatë një konference për statusin më 10 tetor, Karaxhiqi përsëriti kërkesën e tij që t’i lejohet qasja në internet dhe përdorimi i Skype, i cili do ta bënte më të lehtë gjetjen e materialeve për punën e tij si edhe komunikimin me familjen e tij.

Ai u kërkoi gjithashtu gjyqtarëve të Hagës ta lejonin atë të përdorte një laptop sepse kishte dhimbje shpine të shkaktuara nga qëndrimi ulur me orë të tëra në një kompjuter tavoline.

Sekretariati i gjykatës hodhi poshtë kërkesat e tij, duke shpjeguar se së shpejti do të niste një projekt pilot për telefonata me video.

Karaxhiqi është mbajtur në Njësinë e Paraburgimit në Scheveningen që nga arrestimi i tij në vitin 2008.

Në mars të vitit të kaluar, Karaxhiq u dënua me 40 vjet burg për përfshirjen e tij në gjenocidin e Srebrenicës, krime kundër njerëzimit në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Megjithatë, ai u lirua nga akuzat për gjenocid në disa komuna boshnjake në vitin 1992.

Si Karaxhiqi ashtu edhe Prokuroria e Hagës kanë apeluar kundër vendimit, me ish-liderin politik serb të Bosnjës që kërkon të lirohet nga të gjitha akuzat dhe prokurorët që kërkojnë që dënimi i tij të rritet me burgim të përjetshëm./BIRN Sarajevë