Gjykata dënon deputetin e Vetëvendosjes, Liburn Aliun

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Liburn Aliu është shpallur fajtor për rrahjen e asamblistit të PDK-së në prill të vitit 2015, Muhamet Selmani.

Lajme

11/12/2017 16:05

Ndaj ish- drejtorit të Urbanizimit në komunën e Prishtinës, Liburn Aliu  Gjykata Themelore e Prishtinës ka  shqiptuar Urdhër Ndëshkimor, kërkesë të cilën e kishte bërë prokurori i rastit më 09.02.2016.

Lajmin për shqiptimin e Urdhrit Ndëshkimor dhe gjobës prej 500 euro  ndaj Aliut e ka bërë të ditur për “Arbresh.info” zyrtarja për media e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se me dt. 09.02.2016, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është pranuar aktakuza me kërkesë për dhënien e Urdhrit Ndëshkimor kundër të pandehurit L.A. Gjykata në Aktgjykimin P.nr.549/16 të dt. 02.10.2017 ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka urdhëruar Urdhrin Ndëshkimor kundër të pandehurit L.A për veprën penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 188 par.1 pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është shprehur zëdhënësja e kësaj gjykate.

Gashi po ashtu ka treguar se  shuma prej 500 euro dënim duhet të paguhet 15 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

“Gjykata ka gjetur se i pandehuri L.A është fajtor, me ç ‘rast të njëjtit i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 500.00 (pesëqind) Euro, të cilin dënim është i obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Aktgjykimi ju ka dërguar palëve në procedurë”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, deputeti i VV-së Liburn Aliu  ishte përfshirë në një rrahje me asamblistin e PDK-së, Muhamet Selmani  në prill të vitit 2015 në një restorant të qytetit.  Menjëherë pas kësaj ai ishte arrestuar dhe iu ishte  caktuar masa e arrestit prej 48 orësh.  Aliu,  për orë të tëra  ishte marrë në pyetje nga Policia./Arbresh.info/