Gjykata: Azem Syla Mund të Ndikojë në Dëshmitarë

Prokurori kërkesën për caktimin e paraburgimit të Sylës e arsyetoi me rrezikun e arratisjes dhe pengimin e procedurës.

Lajme

28/05/2016 10:23

Deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Sylës do t’i duhet që pjesën më të madhe të verës ta kalojë në paraburgim, kjo pasi që gjyqtarja e procedurës paraprake e EULEX-it  Jennifer Seal i caktoi masën e paraburgimit edhe për tre muaj.

Së bashku me Sylën paraburgimi iu cakta edhe shoferit të tij, Artan Vilës, por edhe Nuhi Ukës, Sabaudin Haxhiut, Avni Maxhunit, Hajrullah Berishës, Ilaz Sylës dhe Lubisha Vujoviciq të gjithë këta të dyshuar në rastin e njohur të keqpërdorimit të ish-pronave shoqërore.

Paraburgimin për Sylën dhe të tjerët e kërkoi prokurori i EULEX-it Danilo Ceccarelli, pasi konstatoi se të dyshuarit mund ta pengojnë procedurën.

“Përgjimet e fundit tregojnë se grupi është aktiv në pengimin e procedurave duke i fshehur dokumentet dhe duke komunikuar dijeninë e tyre për hetimet në vazhdim me njëri –tjetrin,” pretendoi prokurori Cecarreli në kërkesën e tij.

Cecarreli përmendi edhe rrezikun e ikjes për të gjithë të dyshuarit.

Pretendimet e prokurorit italian u kundërshtua3n nga avokatët mbrojtës të dyshuarve.

Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi në kundërshtimin e tij ndaj kërkesës së prokurorit tha se prokuroria nuk ka arritur të argumentojë dyshimin e bazuar se Azem Syla ka kryer veprën penale, ndërsa edhe rreziku i arratisjes nuk ekziston se i mbrojturi i tij është kthyer nga Shqipëria vullnetarisht, ndërsa mohoi rrezikun për ndikim në  dëshmitarë duketreguar se  dy dëshmitarë janë të mbrojtur.

Edhe Tahir Rrecaj e kundërshtoi kërkesën për vazhdim të paraburgimit duke thënë se kërkesa e prokurorit është e bazuar në fakte abstrakte.

Kundërshtime ndaj kërkesës së prokurorit bënë edhe avokatët e të dyshuarve tjerë.

Gjyqytarja e procedurës paraprake tha se për  disa nga të dyshuarit ekziston rreziku i moderuar i arratisjes, por ky rrezik sipas saj për Azem Sylën është i ulët.

Megjithatë, gjyqtarja Seal u pajtua se ekziston rreziku që të dyshuarit të ndikojnë në dëshmitarë dhe të shkatërrojnë provat.

“Për  disa nga të pandehurit sikurse për Azem Sylën, ka shumë të ngjarë që ai do të udhëzojë të tjerët që të pengojnë dëshmitarët, apo t’i shkatërrojnë apo fshehin dëshmitë dokumentare,” thuhet në vendimin e gjyqtares Seal me të cilin miratoi kërkesën e prokurorit Ceccarelli për vazhdim të paraburgimit edhe për tre muaj.

Gjyqtarja Seal më tej tha se pajtohet se në këtë moment ka rrezik shumë të lartë se mund të ndikohet në dëshmitarë pasi hetimet janë shumë aktive dhe se grupi ka rrjet të madh të bashkëpunëtorëve në dispozicion.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake lidhur me këtë konsideron se ka shenja se dëshmitarët potencialë janë penguar dhe kërcënuar, apo u janë premtuar shuma të parave për deklarata të rreme,” vlerësoi gjyqtarja Seal.

Krejt në fund, Seal konsideroi se vazhdimi i paraburgimit edhe për tre muaj, do të jetë i mjaftueshëm për prokurorin Ceccarelli që t’i përfundojë shumicën e veprimeve hetimore.

Nuhi Uka, Ilaz Syla, Arton Vila, Sabaudin Haxhiu, Hajrullah Berisha dhe Avni Maxhuni ishin arrestuar më 27 prill, Azem Syla ishte dorëzuar dy ditë më pas, ndërsa Lubisha Vujoviq më 1 prill.

Të gjithë të arrestuarit dyshohen për vepra që ndërlidhen me krim të organizuar lidhur me prona në regjionin e Prishtinës./kallxo.com