Gjuriq thotë se Kosova është vend i jostabilitetit dhe tensionit

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Serbi, Marko Gjuriq ka thënë se Kosova vazhdon të jetë një vend jostabil dhe me tensione të vazhdueshme.

Lajme

29/05/2017 19:12

Ai e ka lavdëruar Beogradin, duke thënë se qëndrimet e Serbisë ishin vendimtare që sado pak të ketë një qetësim të situatës.

Duke folur me studentët e Sigurisë në Fakultetin e Beogradit, ai iu tha atyre se Kosova është temë e vështirë për ata që studiojnë fenomenin e sigurisë, pasi sipas tij Kosova është zonë e vogël dhe me plotë ndikime gjeopolitike, çka rezulton me jostabilitet potencial, transmeton lajmi.net

Ai shtoi se dialogu Prishtinë-Beograd është i rëndësishëm për serbët, duke theksuar se Lista Serbe është e vetmja garanci për serbët e Kosovës.

“Zgjedhjet e 11 qershorit janë të rëndësishme sidomos për sigurinë e serbëve të Kosovës, për shkak se atje ka një rritje të ekstremizmit politik, dhe është vetëm Lista Serbe në gjendje për ta parandaluar formimin e Ushtrisë së Kosovës”, tha Gjuriq.

Edhe Qeveria e Serbisë i ka dalë në mbështetje Listës Serbe për zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë. /Lajmi.net/