Gjuriq: Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë “aventurë politike”

Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq ka deklaruar sot se propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që Parlamenti kosovar të miratojë një rezolutë për gjenocidin e Serbisë mbi shqiptarët është një “aventurë politike” dhe “hedhje e kripës mbi plagën”.

Lajme

05/04/2015 12:23

“Kemi përshtypjen se bëhet fjalë për një aventurë politike të njerëzve të cilët e kanë ndërgjegjen e papastër për shkak të rolit të tyre në ndodhitë luftarake në fund të viteve ’90. E dimë se një pjesë e establishmentit të shqiptarëve të Kosovës drejtpërdrejt ka marrë pjesë në ato ndodhi luftarake”, ka thënë Gjuriq për RTS, duke shtuar se ata njerëz e kanë “fytyrën e përlyer”.

Ai ka thënë se në vend të rezolutës së paralajmëruar, duhet të kërkohen përgjigje për “krimet terroriste të UÇK-së”, si dhe që asnjë problem ekonomik në Kosovë nuk është zgjidhur dhe prandaj shqiptarëve u tërhiqet vëmendja nga ato probleme.

Gjuriqi ka thënë edhe se pala serbe po i plotëson obligimet e veta nga Marrëveshja e Brukselit dhe se nuk ka obligime shtesë që duhet t’i plotësojë, porse përfaqësuesit shqiptarë pas negociatave në Bruksel shkojnë në Prishtinë dhe tregojnë të pavërteta.

Ai ka paralajmëruar se Beogradi gjatë javës së ardhshme do të dalë me një raport vëllimor për realizimin e deritashëm të Marrëveshjes së Brukselit dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne s’do të lodhemi nga paraqitja e fakteve në publik, por duket se edhe pala shqiptare s’lodhet nga shtrembërimi i atyre fakteve”, ka thënë Gjuriq.