Gjuriq reagon për Platformën: Një listë dëshirash për separatistët në Prishtinë

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovën’ në qeverinë e Serbisë ka thënë se platforma e prezantuar nga delegacioni kosovar, nuk është një platformë për dialogun, për përkundrazi është kundër dialogut.

Lajme

15/02/2019 17:39

Sipas tij, këto lëvizje të Prishtinës po i fusin bisedimet e Brukselit në një kolaps.

“Çfarë ata kanë shkruar, nuk ka të bëjë fare me përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Ato janë një listë dëshirash për separatistët në Prishtinë. Një dokument jo real që do të thotë një tallje me dialogun”, ka thënë Gjuriq para gazetarëve, shkruan Tanjug, përcjellë Klan Kosova.

Këto reagime të politikanit serb kanë ardhur pasi Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti si përfaqësues të ekipit të unitetit i kanë dorëzuar sot kreut të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, Platformën për dialogun e Brukselit me Serbinë.

Limaj, Ahmeti e Veseli njëzëri kanë thënë se Platforma është e mbështetur plotësisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ata kanë thënë se në atë platformë sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës janë të paprekshëm.

Gjithashtu, kanë thënë se nuk do të lejojnë në asnjë formë asociacion të komunave serbe më kompetenca ekzekutive.