Gjuriq po përpiqet t’i manipuloj serbët e Kosovës

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, po planifikon që mesazhet e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq për “problemet që i ka Serbia me ndërkombëtarët për pavarësinë e Kosovës” t’i sjell tek serbët e Kosovës por me një propagandë agresive për t’i mbajtur ata me shpresë se Serbia po kujdeset për ta.

Lajme

23/03/2018 17:39

Kështu, derisa Vuçiq nëpërmjet mediave serbe po përçon mesazhin tek qytetarët serbë të Serbisë se nuk do të mund të bëjë asgjë për Kosovën, e ka angazhuar Gjuriqin që tek serbët e Kosovës të përçoj mesazh krejt tjetër për t’i manipuluar ata se kinse Serbia po përpiqet ta forcoj rolin e tyre në Kosovë.

Burime të lajmi.net brenda Qeverisë së Kosovës, bëjnë të ditur se Marko Gjuriq ka kërkuar leje për hyrje në Kosovë në fillim të javës së ardhshme, për të sjellur para serbëve të Kosovës propagandën e projektuar nga presidenti serb Vuçiq.

Në ditët e fundit Gjuriq e ka nisur këtë fushatë nga Serbia por tani ai po synon që deklarata populiste ti bëjë gjatë një vizite që synon ta realizoj në Mitrovicën veriore.

“Në kërkesën që e ka bërë Gjuriq për lejimin e vizitës, ai ka kamufluar me gjoja vizita kulturore e ku ai nga ana tjetër planifikon të bëjë deklarata populiste për serbët”, tha një zyrtar i Qeverisë me kushte anonimiteti.

I zhgënjyer nga miratimi i demarkacionit nga Kuvendi i Kosovës, Gjuriq në dy ditët e fundit vazhdimisht i ka quajtur terroristë krerët e shtetit të Kosovës.

Ende nuk dihet nëse Qeveria e Kosovës do të lejoj ardhjen e Gjuriq në Kosovë. /Lajmi.net/