Gjuriq: S’do të ketë Asociacion, por Bashkësi të komunave me shumicë serbe

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Makro Gjuriq, ka thënë se pala serbe i ka zbatuar të gjitha marrëveshjet e dala nga dialogu i Brukselit.

Lajme

23/04/2015 12:34

Gjatë prezantimit të raportit 6 mujor të dialogut me Kosovën, Gjuriq ka thënë se Serbia nuk ka kushte të reja për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Ndërsa, në këtë paraqitje, Gjuriq ka thënë për mediat serbe se, pengesa kryesore për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit po i bënë Prishtina zyrtare, e cila, sipas tij, po e zvarrit formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai ka thënë se politikanët kosovarë po e quajnë këtë trup si një asociacion, ekuivalent me Asociacionin e Komunave të Kosovës, gjë që, për këtë politikan serb, kjo nuk është e vërtet, transmeton lajmi.net. Sipas Gjuriqit, ky rrjetë i komunave me shumicë serbe do të quhet Bashkësi.

“Prishtina insiston që Bashkësia e komunave serbe të jetë e njëjtë me Asociacionin e komunave në Kosovë, e cila tashmë ekziston në cilësinë e një organizate për vetëqeverisje lokale. Kjo Bashkësi e komunave serbe nuk mund të formohet me ligjet aktuale të Kosovës”, ka thënë Gjuriq.