Gjuriq nga Mitrovica: Serbët nuk u përzihen shqiptarëve për qeverisje

Interesi kryesor i serbëve të Kosovës është fuqizimi i pozicionit institucional të tyre, bën të ditur Marko Gjuriq. Sipas tij, me votimin e djeshëm të Kryetarit të Kuvendit, deputetët serbë kanë treguar se nuk ka qeveri pa votën e tyre. 

Lajme

18/07/2014 16:38

Shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, po qëndron sot për vizitë në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë qëndrimi të tij në Kosovë, Gjuriq ka komentuar edhe ngjarjet në seancën Konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se vota e deputetëve të komunitetit serb, po tregon për fuqinë politike të tyre.

Ai vlerësoi se me prezencën e Listës “Srpska” në Kuvendin e Kosovës, po fuqizohet edhe ndikimi i Beogradit në institucionet kosovare.

Gjuriq tha se deputetëve të Listës “Srpska” nuk i intereson se kush nga partitë shqiptare do t’i qeverisë, e rëndësishme, sipas tij, është që ata t’i mbrojnë interesat e pjestarëve të komunitetit serb në Kosovë.

“Ne nuk na intereson se kush do të qeverisë. Për ne me rëndësi është që t’i mbështesim njerëzit tanë që në njëfar forme të kenë rolë të rëndësishëm në veprimet politike, që tregon se tashmë ata kanë më shumë ndikim në qeverisje se sa që kanë pasur deri më tani”, ka thënë gjuriq për mediat serbe, transmeton lajmi.net

Ish-këshilltari i presidentit serb, ka takuar sot në Mitrovicë edhe numrin një të OKB-së në Kosovë, Farid Zarif.