Gjuriq i kundërpërgjigjet Veselit: Presheva e Nishi nuk do të jenë kurrë pjesë e Kosovës

Drejtori i të ashtuquajturës, Zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili mbrëmë në një debat televiziv deklaroi se ai do të dëshironte që Presheva e Medvegja t’i bashkoheshin Kosovës, mirëpo që kjo e fundit nuk ka asgjë për të ofruar në këmbim të saj.

Lajme

22/03/2018 12:38

“Kosova nuk do të jetë kurrë një shtet, madje as Presheva, Medvegja ose Nishi nuk do të jenë kurrë pjesë e Kosovës. Prishtina është dhe mbetet pjesë e Serbisë, madje edhe ai është qytetar serb”, tha Gjuriq.

Gjuriq, këto deklarata të Veselit i quan ëndrra të parealizueshme të siç e quan ai “Shqipërisë së madhe”.

“Kadri Veseli, i njohur për dashurinë e tij për luftën dhe humbjen e territorit, duhet ta dijë që ai nuk është i mençur mjaftueshëm për të tejkaluar dhunën. Ka një kohë që dialogu ka vazhduar dhe problemet më nuk zgjidhen me sulme kriminale nga nëntoka, gjë që ai do ta ketë të vështirë ta kuptojë, por koha është në dispozicion për tu marrë me realitetin”, deklaroi Gjuriq.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që ka polemika mes Veselit dhe zyrtarëve serb, ku para pak muajsh këta të fundit i kishte penguar një deklaratë e Kryetarit të Kuvendit për Nishin si pjesë e Kosovës./Lajmi.net/