Gjuriq: Delegacioni i Prishtinës është refuzues

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thënë se në Bruksel është është dëshmuar që delegacioni nga Kosova nuk është i gatshëm për të arritur marrëveshje, ndërsa në fillim të bisedimeve nuk ishin të gatshëm as për të folur seriozisht.

Lajme

01/07/2015 18:37

Ai vazhdon duke thënë që përgjigja e vetme e anëtarëve të delegacionit kosovar në këto bisedime ka qenë “jo”.

“Nuk po e them këtë për ta rënduar atmosferën. Personalisht jam i nervozuar me nivelin e arrogancës së disa përfaqësuesve të Prishtinës. Nuk është kjo ajo që na ka prekur, ne kemi përjetuar situata edhe më të këqija”, ka thënë Gjuriq.

Ndërsa i pyetur për ndikimin dhe rolin që ka Zyrtarja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini në këto bisedime ai ka thënë se përveç kësaj ajo ka edhe çështje të tjera me të cilat është e ngarkuar.

“Ajo në dorën e saj ka krizën iraniane, krizën e Eurozonës këto janë dy çështje të rëndësishme botërore, por ajo ka ndarë kohë edhe që të flasim seriozisht” ka vazhduar Gjuriq.

Ai fajin e ka hedhur mbi përfaqësuesit kosovarë, duke thënë se pas secilit raund të bisedimeve janë ata të cilët ndikojnë me deklaratat e tyre, dhe ka përkujtuar që Edita Tahiri edhe më herët kishte folur se i ashtuquajturi “Parku i Paqes” do të largohet së shpejti.

Ai ka reaguar edhe lidhur me deklaratën e Isa Mustafës se gjithçka çka është në Kosovë i takon Kosovës, duke thënë se këto janë fjalë që i largojnë palët në marrëveshje

“Ato fjalë janë në kundërshtim me sjelljet e delegacionit të Prishtinës. Më keq është se ata, në vend që të dërgojnë porosi pajtimi, ata po dërgojnë mesazhe që na largojnë”, ka thënë Gjuriq

Bisedimet e ardhshme në Bruksel pritet të mbahen pas vizitës zyrtare të Kancelares Gjermane Angela Merkel në Serbi.