Gjuriq akuzon KFOR-in për vizitën e Thaçit në Ujman

Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm takimin që presidenti serb, Aleksander Vuçiq, do të zhvillojë nesër me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Lajme

01/10/2018 22:51

Sipas tij, një takim i tillë është i një rëndësie të madhe duke marrë parasysh edhe zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, transmeton lajmi.net.

Tutje, duke folur për vizitën e presidentit Thaçi në Ujman dhe praninë e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës atje, Gjuriq tha se një gjë e tillë është bërë në koordinim me ndërkombëtarët dhe me institucionet e sigurisë.

“Një gjë e tillë, përveq që është e papërgjegjshme, është edhe e rrezikshme, dhe nuk besoj se veprime të tilla janë të mundura pa miratimin e heshtur apo të qartë të atyre që janë të ngarkuar për sigurimin e paqes atje, dhe jo për nxitjen e akteve të tilla të dhunës”, ka thënë ndër të tjera Gjuriq.

E në lidhje me këto zhvillime, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, kishte kërkuar edhe ndihmën e Rusisë.

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj ka thënë se Thaçi e ka për detyrë të shkojë për vizitë kudo në territorin e Republikës së Kosovës, dhe se një gjë e tillë nuk përbën shkelje të ligjit./Lajmi.net/