Gjuha e deputetëve tremb investitorët

OEK ka vlerësuar se deputetët gjatë debatit kanë përdorur gjuhë të paargumentuar e cila, sipas saj, po i tremb investitorët dhe po e dëmton ekonominë e vendit.

Lajme

30/01/2014 20:32

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar ndaj debatit që është zhvilluar javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës për çështjen e privatizimit të ndërmarrjeve në Kosovë.

OEK ka vlerësuar se deputetët gjatë debatit kanë përdorur gjuhë të paargumentuar e cila, sipas saj, po i tremb investitorët dhe po e dëmton ekonominë e vendit.

“Oda Ekonomike e Kosovës është angazhuar vazhdimisht për transparencë të plotë, për të gjitha proceset që zhvillohen në Kosovë dhe do të përkrahim çdo kërkesë për transparencë e cila në vete ka qëllim përmirësimin e proceseve dhe jo selektivitetin jo-parimor për interesa të ngushta politike”.

“OEK konsideron që gjuha e paargumentuar  debateve të fundit për privatizimim dhe investimet e huaja në Parlament, e cenon direkt sigurinë juridike të sektorit privat dhe të investitorëve të huaj dhe mund të sjell dëme kolaterale për të ardhmen ekonomike të vendit”.

“OEK fton që të gjitha institucionet të angazhohen konkretisht në krijimin e kushteve ligjore dhe kornizës së plotë institucionale, që sektori privat të jetë bartës i zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës në Kosovë, përmes kornizës për luftimin e ekonomisë jo-formale, krijimit të sigurisë juridike për investitorët, krijimit të kushteve të barabarta në treg, si dhe ofrimin e lehtësirave fiskale dhe financiare për investimet e reja”, thuhet në reagimin e odës Ekonomike të Kosovës.