Gjonbalaj: Kompania që ka deportuar turqit nga Aeroporti, ka gënjyer për arsyen e fluturimit

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Dritan Gjonbalaj, tha se kompania fluturuese, aeroplani i të cilës ka bartur gjashtë turqit për në Turqi ka gënjyer për arsyen e fluturimit.

Lajme

22/05/2018 13:45

“Kontrollimin e fluturimeve komerciale e bën Ministria e Infrastrukturës. Kërkesa për fluturim është bërë në MI, kompania ka gënjyer për arsyen e fluturimit, çfarë ka ndodhur në ndërkohë është duke u hetuar. AAC ja për shkak se nuk është kompetente nuk ka qenë e përfshirë në këtë”, ka thënë Gjonbalaj në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Më tej drejtori i AAC-së ka thënë se nëse miratohet një fluturim komercial nga MI, AAC bën kontrollimin e aeroplanit dhe asnjë pasagjer nuk mund të hyjë pa kaluar nga AAC, por kjo gjë nuk ka ndodhur me aeroplanin që po barte gjashtë turqit për në Turqi.

“Fluturimet që paraqiten si komerciale dorëzohen në MI ku përfshihet qëllimi i fluturimit, policat e sigurimit”, ka shpjeguar Gjonbalaj.

Anëtari i Komisionit, Faton Topalli e ka pyetur Gjonbalajn nëse ka pasur kallëzim penal ndaj një operatori që ka bërë mashtrim.

Gjonbalaj ka thënë se MI mund të vendosë deri në 1 milion euro gjobë për entitete komerciale që bëjnë bartjen e udhëtarëve.

“E konfirmoj nga dokumentacioni që na është dhënë nga MI, kërkesa është bërë për fluturim komercial, ata kanë kaluar nëpër terminalin VIP”, ka përfunduar Gjonbalaj.

Më 29 mars, 6 shtetas të Turqisë, të cilët ishin mësimdhënës dhe pjesëtarë të lëvizjes së Fetullah Gylenit, u larguan nga Kosova pa paralajmërim.

Institucionet qeveritare dhe Policia e kanë quajtur këtë largim si deportim, ndërsa Avokati i Popullit ka thënë në emisionin “Drejtësia në Kosovë” se shtetasit turq janë ekstraduar.

Qeveria turke e ka akuzuar Fetullah Gylenin për tentativën për puç ushtarak të 15 korrikut 2016 dhe e ka kërkuar ekstradimin e tij nga Shtetet e Bashkuara./kallxo.com/