GJKS nuk e anulon marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Serbisë e Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka refuzuar vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë të “Marrëveshjes së parë për parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të nënshkruar më 19 prill  të vitit 2013, e njohur edhe si marrëveshja e Brukselit, e nënshkruar ndërmjet kryeministrave Thaçi dhe Daçiq. 

Lajme

03/02/2015 18:03

Në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë (GJKS) thuhet se propozimin për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së kësaj marrëveshje të nënshkruar e kanë paraqitur 25 deputetë të Kuvendit të Serbisë.  

Sipas grupit prej 25 deputetëve, që e kontestuan këtë parafim, kjo marrëveshje ka karakter ndërshtetëror dhe ajo nuk është dashur as të nënshkruhet e as të ratifikohet nga Kuvendi i Serbisë.   

Mirëpo, sipas arsyetimit jashtëzakonisht të gjatë të Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, pos shumë vërejtjeve që kanë të bëjnë me propozuesin e vlerësimit të kushtetutshmërisë, thuhet se kjo marrëveshje nuk paraqet marrëveshje ndërshtetërore, andaj edhe është marrë vendimi si në diapozitiv.

Vendimi i GJKS-së është marrë më 10 dhjetor të vitit 2014, me shumicë votash të anëtarëve të tij, pasi disa anëtarë kanë pasur mendime të ndara.