Gjithnjë e më pranë vaksina “universale” për tumoret, nisin testet

Kërkimet shkencore për një vaksinë “universale” kundër tumoreve shënojnë një hap të ri, por të rëndësishëm, përpara.

Lifestyle

02/06/2016 02:40

Një grup shkencëtarësh të universitetit gjerman “Johannes Gutenberg” në Mainc ka zhvilluar një ilaç, që i jep një përgjigje shumë të fortë sistemit imunitar, efikas kundër kancerit edhe në doza të vogla. Sipas revistës “Nature”, vaksina është testuar me sukses te kafshët dhe në tre pacientë, të cilët ishin në gjendje të avancuar të melanomës.

Vaksina është një lloj kapsule e përbërë nga “pika të vogla” dhe ku përfshihen ato që cilësohen si “instruksione gjenetike”, të programuara për të nxitur reagimin e sistemit imunitar në mënyrë të përqëndruar, ose më saktë, një molekulë e RNA-së, në varësi të llojit të tumorit që duhet luftuar. E injektuar në venë, kapsula mbërrin në shpretkë, nyjet limfatike dhe palcën e kurrizit, ku “gozhdohet” nga qelizat e degëzuara, të specializuara në kapjen e antigjeneve. Me të mbërritur në destinacion, kapsula lëshon instruksionet gjenetike, RNA, për të dhënë një përgjigje imunitare kundër tumorit. Menjëherë më pas, qelizat e degëzuara e shndërrojnë RNA-në në një proteinë tumorale, të ashtuquajturin “antigjen tumoral”, që shkakton reagimin imunitar.

Ekspertët e kanë testuar vaksinën me sukses te disa minj laboratori, të prekur nga forma të ndryshme të kancerit. Testet janë përsëritur më pas në tre pacientë, të gjithë me melanomë në gjendje të avancuar. Meqënëse “zemra” e vaksinës mund të modifikohet sipas llojit të tumorit që duhet luftuar, shprehen autorët, kjo vaksinë ka plotësisht mundësinë të funksionojë në mënyrë universale kundër kancerit./shekulli.