Gjilanit i rikthehet Fabrika e cigareve

Gjiganti gjilanas, i njohur dikur si “Kombinati i Duhanit”, tash me emrin “Premium Tobacco Group”, po i rikthehet fuqishëm ekonomisë së Gjilanit dhe të Kosovës.

Lajme

28/01/2015 17:58

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka vizituar këtë fabrikë që së shpejti pritet të dalë në treg me produkte të duhanit.

Pronari i kësaj fabrike të privatizuar, Gazmend Abrashi tha se synimet janë të mëdha për të plasuar prodhimet në tregun e jashtëm.

Kryetari Haziri i ka garantuar Abrashit përkrahje me të gjitha kapacitetet komunale, sikundër edhe lobim në qeveri për ndryshimin e politikave fiskale për prodhuesit që kanë synim eksportin.

Përmes një njoftimi për shtyp, kreu i Gjilanit theksoi se funksionimi me sukses i kësaj kompanie përkthehet me impakt të madh në zhvillim ekonomik lokal e nacional, duke shtuar se shteti duhet të gjejë forma për të subvencionuar prodhuesit vendorë që synojnë tregjet e huaja.

Abrashi bëri të ditur se deri tash ka investuar në këtë fabrikë afro 5 milionë euro, duke e bërë me standarde evropiane, derisa aktualisht ka 100 punëtorë dhe me mundësi të rritjes së numrit të tyre.