Gjilanin e vizitojnë 55 biznesmenë të suksesshëm

55 biznesmenët më të suksesshëm shqiptar të diasporës nga e mbarë bota, në kuadër të vizitës tre ditore në Kosovë, kanë zgjedhur sot ta vizitojnë qytetin e Gjilanit, ku janë pritur nga kryetari i Komunës Lutfi Haziri. Takimi është organizuar në “Vali Ranch” dhe nga Ministria e Diasporës, ku i pranishëm ka qenë edhe mistri Ibrahim Makolli.

Lajme

17/05/2014 20:28

Kryetari i Komunës se Gjilanit Lutfi Haziri, ka falënderuar përfaqësuesit e rrjetit të bizneseve më të fuqishme në botë që kanë zgjedhur Gjilanit për vizitë, duke thënë se kemi nevojë për të na treguar përvojat, sfidat dhe sukseset e të bërit biznes. 

“Gjilani është njëra prej komunave që ka krijuar ambient dhe në cilën e shohin mundësinë për me investuar duke pas parasysh edhe shembujt e mirë siç është Vali Ranch në veçanti, Planeti po ashtu që është investim e gurbetqarëve dhe investime të tjera në përgjithësi”, ka thënë Haziri. 

Nga ana e tij, ministri i Diasporës,Ibrahim Makolli ka thënë se 55 përfaqësuesit e rrjetit të bizneseve më të fuqishme në botë e kanë mundësinë që gjatë këtyre pesë ditëve të krijojnë kontakte, të shohin të arriturat dhe sfidat që ballafaqohen kolegët e tyre nga bizeneset kosovare. 

“Gjatë këtyre tri ditëve përfaqësues të rrjeteve nga vende të ndryshme edhe të Evropës edhe të kontinenteve të ndryshme të vendeve të tjera kanë mundësinë që përpos pjesës së drejtpërdrejtë të konferencës të takohen dhe të njihen drejtpërdrejtë edhe me investimet e pjesëtarëve të mërgatës në Kosovë”, ka shtuar Makolli. 

Pronari i “Vali Ranch” Fehmi Fetahu, është shprehur tejet i lumtur që janë mbledhur këta biznesmenë në Gjilan, meqë edhe vet i takon këtij grupi. 

“Ky takim ka një rëndësi që Kosova ti sheh se çfarë njerëz ka jashtë. Për ne është me rëndësi që në Kosovë sa po mundemi me investuar për këta biznesmen që mos t’i lëmë jashtë e nuk e dimë se ku janë. Ky është qëllimi jonë që të takohemi në Kosovë”, ka shtuar Fetahu. 

Në emër të bizneseve të diasporës ka folur Nazar Mehmeti, i cili e zhvillon veprimtarinë e biznesit të tij në Teksas të SHBA-ve, ndërsa ka falënderuar për institucionet e Kosovës për organizimin dhe pritjen, duke thënë se “Kosovën e çliruam së bashku dhe do ta zhvillojmë së bashku”. (Kosovapress)