Gjilani nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi me Luksemburgun për orientim në karrierë të të rinjve

Në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan, është nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me qeverinë e Luksemburgut, për orientim në karrierë, që parasheh planifikim të qartë të drejtimeve profesionale me kërkesat e tregut të punës.

Lajme

29/03/2018 09:48

 

Marrëveshja është nënshkruar nga U.D. e drejtorit të arsimit, Majlinda Hoxha dhe përfaqësues nga Lux Development.

Pas nënshkrimit, drejtoresha Hoxha ka thënë se kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e mirë dhe lehtësuese e punës së drejtorisë për orientimin ne karrierë të të rinjve tanë, përshtatjen e profileve profesionale me kërkesat dhe nevojat e tregut të punës, jo vetëm në Kosovë, por përgatitjen e të rinjëve edhe për tregun ndërkombëtar e me theks të veçantë tregun europian.

Nga ana tjetër përfaqësues nga Lux Development kanë thënë se po përpiqen që të ngrisin ofertën e arsimit dhe aftësimit profesional me standardet europiane, duke tentuar përmes formave të ndryshme që të ketë ngritje të cilësisë dhe nivelit të arsimit, por edhe aftësimit profesional në bazë të standardeve më të larta europiane, që përmes këshillimeve dhe orientimit në karrierë të përfshihen të gjithë të rinjtë e Gjilanit dhe më gjerë.

Për mësimdhënësit dhe udhëheqësit e shkollave, ku do të aplikohet orientimi në karrierë, planifikohet të mbahen edhe trajnime, që ky proces të jetë i përgatitur mirë dhe sukseset të jenë të dukshme në të ardhmen e afërt. ​