Gjilanasit edhe në qendër të qytetit të rrezikuar nga gjarpërinjtë

Qendra e qytetit të Gjilanit është bërë moçal dhe çerdhe e gjarpërinjve, si pasojë e moskujdesit dhe mos mirëmbajtjes nga ana e institucioneve komunale. Kështu thuhet në një komunikatë të dërguara nga Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, pasi që e konsiderojnë si të jashtëzakonshme këtë gjendje të krijuar në këtë qytet.

Lajme

23/06/2015 15:20

“Shtrati i lumit Mirusha tanimë nuk vërehet fare nga papastërtia e jashtëzakonshme që është krijuar aty, ka dy vite që janë ndërprerë punimet e këtij projekti dhe që mirëmbajtja është lënë krejtësisht pasdore, ku rreziku tani është i lartë nga gjarpërinjët dhe brejtësit tjerë të cilët janë shfaqur mu në qendër të Gjilanit”, thuhet në këtë komunikatë.

Përmes kësaj komunikate, ata kanë shprehur shqetësimin e tyre se mospastërtia, gjarpërinjtë dhe brejtësit e ndryshëm mund të bartin sëmundje të rënda dhe të rrezikshme për qytetarët e kësaj komune.

Sipas tyre, qeverisja Haziri ka dy vite që për asnjë metër nuk e ka vazhduar projektin e lumit Mirusha që ka mbetur në qendër të qytetit, aty edhe ku e ka lënë qeverisja e PDK-së.

“Drejtuesit komunal të Gjilanit po bëjnë hajgare me qytetarët, duke thënë (jo publikisht) se tani qyteti po ka më shumë gjelbërim, kemi sjellë freskin dhe livadhet po rriten brenda qytetit, që Gjilani asnjëherë më parë nuk e ka pasur këtë zhvillim pozitiv, sipas tyre. Kryetari i komunës dhe nënkryetari i tij, po mburren (duke bërë shaka) duke thënë see kemi hequr gropën e Hajdin Sejdisë nga qendra dhe kemi sjellë parqe në mesin tuaj. Kjo sjellje është më shumë se e turpshme”, thuhet në komunikatë.

Kjo degë e PDK-së, ka kërkuar nga institucionet komunale që menjëherë të merr masa për pastrimin e këtij mocali, të cilët e quajnë të rrezikshëm, pasi është krijuar nga mos kujdesi i mirëmbajtjes së këtij lumi.