Gjilan, mbërrin kontigjenti i ndihmave nga Austria

Në Komunën e Gjilanit sot ka ardhur kontingjenti i ndihmave për shoqatën e HANDIKOS-it, Kryqin e Kuq dhe Spitalin Regjional, që përmban pajisje të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara, për pacientët dhe për veshmbathje, që është vlerësuar me një rëndësi të veçantë dhe mbështetje për këtë kategori të shoqërisë dhe për pacientët në përgjithësi.

Lajme

16/03/2015 17:37

Në një komunikatë për media të kësaj komune, thuhet se me këtë rast u.d. i drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Muhamet Kastrati, në emër të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se mbështetja e popullit austriak dhe e bashkatdhetarëve tanë në diasporë është përherë aktive dhe kjo dëshmon një lidhje emocionale dhe shpirtërore që ata kanë me vendin e tyre.

“Kjo është një dëshmi e lidhjes shumë të ngushtë që kanë bashkatdhetarët tanë në diasporë me vendin e tyre, prandaj humaniteti i tyre dhe i popullit austriak për të kontribuuar për njerëzit të cilët kanë nevojë jashtë shtetit të Austrisë është për t’u falënderuar në mënyrë të veçantë. Falë shpirtit humanitar të të gjithë këtyre, ne sot kemi pranuar një donacion që prek kategori të shumta të shoqërisë në komunën e Gjilanit. Të gjitha këto pajisje janë një shërbim i veçantë si për Handikos-in ashtu edhe për pacientë të cilët kërkojnë ndihmën e mjekut në spital, por edhe për personat tjerë, të cilët kanë nevojë për veshmbathje”, tha ndër të tjerash Kastrati.

Abdylatif Latifi, drejtor i Spitalit të Gjilanit, ka thënë se kjo është një ndihmesë solide, por që do të hyjë jashtëzakonisht shumë në punën e spitalit gjatë trajtimit të pacientëve të cilët drejtohen në këtë institucion shëndetësor.

“Për spitalin kanë ardhur disa krevate dhe pajisje të tjera përcjellëse për ta, që do të mundësojnë kushte edhe më të mira për pacientët të cilët kërkojnë ndihmën e institucionit tonë”, ka theksuar Latifi.

Hermann Hochreiter, drejtor i shoqatës bamirëse Rumanienhilfe Gunskirchen, dhe iniciatorët Rexhep Isufi e Naser Shkodra, të cilët jetojnë prej vitesh në Austri e që janë nga Anamorava, kanë thënë se kjo iniciativë është e katërta për Kosovën, tri herë më parë këso ndihmash janë dërguar në disa qytete të tjera të Kosovës, ndërsa kësaj radhe kanë zgjedhur Gjilanin.

Ata kanë thënë se fokusi i tyre është ndihma e drejtpërdrejt për personat të cilët kanë nevoja të veçanta dhe shëndetësia. Ata kanë paralajmëruar se para vitit të ri planifikojnë të sjellin edhe një kontingjent tjetër të tillë në Kosovë.

Nga ana tjetër, Fatmir Shurdhani, nga shoqata Handikos, ka thënë se këto ndihma në pajisje janë shumë të mirëseardhura për Handikos-in.

“Janë ndihma që do t’i shërbejnë shumë Handikos-it, duke u nisur nga karrocat lëvizëse, karrocave të tualetit, shëtitoreve, kukëzave, shtretër për personat e lidhur për shtrati dhe pajisje të tjera që do të hyjnë shumë në funksion për të gjitha kategoritë që dedikohen”, ka pohuar Shurdhani.

Ndryshe organizata Rumanienhilfe Gunskirchen dhe Hilfsprojekt Konigsfeld Deutsch Mokra, ndihma të tilla kanë dërguar edhe në Hungari, Rumani, Ukrainë, Kosovë dhe vende të tjera të shumta të cilat kanë nevojë, ndërsa sot ka arritur në 355 numri i kontingjenteve të tilla të shpërndara nëpër botë që nga fillimi i punës së këtyre shoqatave. /KosovaPress/