Serbia “hap” kufirin për disa automjete, jo edhe për autobusë

(E plotësuar) - Lajmi.net mëson se Serbia ka filluar të lejojë të hyjnë disa vetura në pikën kufitare me Kosovën, por jo edhe autobusët.

Lajme

13/09/2015 11:52

Në shumë nga këto autobusë janë qytetarë të Medvegjës që jetojnë në Kosovë dhe që kanë të drejtë vote në Serbi.

Një nga ta është Artan Murati, i cili për lajmi.net tregoi se e ka kaluar kufirin pasi është nisur herët nga Kosova, në orën 5 të mëngjesit.

Artan Murati
Artan Murati

“Ka shumë parregullsi. Shumë shqiptarë janë ndaluar në kufi me arsyetimin se ‘është prishur sistemi’. Pastaj, shumë shqiptarë nuk janë fare në lista të votimit”, deklaroi ai për lajmi.net.

“Për shembull, motra ime është fshirë nga listat e votimit”, zbuloi ai.

“Në kufi ka pasur një kontrollë të rreptë për secilin, kontrollë të detajuar që s’më ka ndodhur ta përjetoj më herët”, shtoi Murati.

“Kurse, në vendvotim gjithçka ishte e rregullt. Ishin 3 serbë e 2 shqiptarë, nuk kisha asnjë problem dhe votimi përfundoi shumë shpejt”, tha mes tjerash Murati për lajmi.net.

___________________________________________

(11:52) Gjersa në Medvegjë po votohet, Serbia “mbyll” kufirin me Kosovën (Foto)

Në komunën e Medvegjës, sot janë duke u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, ndërsa mediat atje raportojnë se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë ndërsa po votohet me rend.

Por, banorët e luginës të cilët jetojnë nëpër qytetet e Republikës së Kosovës duket se do të kenë të vështirë të arrijnë të votojnë, kjo për shkak se Serbia ka mbyllur kufirin me Kosovën.

Disa qytetarë që janë në pritje në kufi kanë thënë se kufitarët po u thonë atyre se ka rënë sistemi i kontrollit doganor. Mirëpo, në fakt, dyshohet se qëllimi i mbylljes së kufirit është që këtyre qytetarëve t’u pamundësohet votimi, raporton ljami.net.

Ndryshe, në këto zgjedhje po marrin pjesë pesë lista zgjedhore – tri serbe e dy shqiptare, ndërsa janë të regjistruar rreth 10.500 votues.

Zgjedhjet lokale në Medvegjë janë shpallur nga presidentja e parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviq, pasi më 8 qershor, Qeveria serbe shpërndau Kuvendin Komunal të Medvegjës. Arsye për këtë vendim të qeverisë ishte, siç ishte thënë asokohe, fakti se nuk ishte mbajtur asnjë seancë e kuvendit komunal brenda afatit të paraparë ligjor. /lajmi.net

Kufiri Kufir