Gjermania vërejtje ndaj ambasadorit amerikan në Berlin: Po sillet si oficer kolonialist

Gjermania i kërkoi të hënën ambasadorit amerikan në Berlin shpjegime pasi kishte deklaruar se kërkonte të mbështeste konservatorët në Evropë në një intervistë për portalin e ekstremit të djathtë «Breitbart».

Bota

05/06/2018 12:56

Richard Grenell, mbështetës i zjarrtë i Trumpit dhe homoseksual i deklaruar, ka marrë detyrën e ambasadorit para katër javësh. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane tha se «Berlini ka kërkuar sqarime» pas deklaratës së fundit të Grenell.

Sipas intervistës së dhënë për «Breitbart», publikuar të dielën, diplomati deklaroi se ishte kontaktuar nga shumë konservatorë në të gjithë Evropën, që i kanë shprehur ndjenjat e tyre për një rishfaqje të kësaj lëvizjeje politike, nxitur nga dështimi i politikave të majta.

«Dëshiroj të mbështes konservatorë të tjerë kudo në Europë, zyrtarë të tjerë», shtoi ai, një deklaratë e pazakontë e bërë nga një ambasador që synon të jetë neutral. «Mendoj se zgjedhja e Donald Trump ka mundësuar për njerëzit të thonë se nuk mund ta lejojnë klasën politike të përcaktojë se cili do të fitojë apo cili do të jetë kandidat para zhvillimit të zgjedhjeve», ka theksuar ai.

Deklaratat kanë shkaktuar shumë pakënaqësi në Gjermani. «Qytetarët evropianë nuk kanë nevojë që një vasal i Trumpit t’u thotë për kë të votojnë», ka reaguar deputeti socialdemokrat gjerman, Thorsten Schafer-Gumbel në një postim në Twitter.

Në intervistë Grenell tha se e konsideronte kancelarin austriak Sebastian Kurz një «yll të rokut». Kurz ka fituar zgjedhjet me një politikë të ashpër dhe populliste kundër refugjatëve dhe qeveris bashkë me partinë djathtiste FPÖ, e cila lavdëron Vladimir Putinin. Presidenti rus do të vizitojë të martën Vjenën. Në Austri autokrati rus gëzon shumë mirëkuptim në qarqet politike në pushtet. FPÖ angazhohet edhe për heqjen e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Mediat gjermane theksojnë se deklarata e ambasadorit amerikan në Berlin se ai mbështet konservatorët në Europë mund të interpretohet si përkrahje e partive nacionaliste si Alternativa për Gjermaninë dhe Ukip. Ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Martin Schulz tha se Grenell nuk po sillet si ambasador në Gjermani, por si oficer kolonialist.

Megjithatë, Grenell në intervistë ka prekur një pikë të dobët, me të cilën Gjermania po ballafaqohet: investimet e ulëta në mbrojtje. Si shefi i tij Donald Trump edhe Grenell ka thënë se Gjermania duhet të japë më shumë para për buxhetin e NATO-s. Pak ditë pasi kishte marrë postin e ambasadorit Grenell tha se firmat gjermane duhet të tërhiqen nga Irani, ndryshe mund të ballafaqohen me sanksione amerikan. Washingtoni është tërhequr nga marrëveshja mbi atomin me Iranin.

Pas ardhjes në Berlin Grenell është njoftuar me Jens Spahn, i cili po ashtu është homoseksual dhe këtë orientim të dy e manifestojnë edhe publikisht në darka të përbashkëta me partnerët e tyre. Në një koment të gazetës «Süddeutsche Zeitung» thuhet:

«Donald Trump muajve të fundit ky thyer aq shumë tabu, saqë është konsistente që edhe përkrahësit e tij po ashtu të thyejnë tabu. Rrjedhimisht, Grenell shkel etiketën diplomatike dhe sillet si agjitator.

Grenell nuk është ambasador klasik, por i dërguar i sistemit ideologjik të Trumpit. Detyra e tij është të infektojë politikën e këtushme. Me çirrjet e tij ai i ka bërë pak miq si puna e Jens Spahn. Më shumë miq nuk do të arrijë të ketë».