Gjermania u qëndron kushteve

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, ka përsëritur se Berlini zyrtar nuk do ta ndryshojë kursin për Kosovën.

Lajme

01/10/2013 11:59

Gjermania dhe Britania e Madhe kanë qëndrim të përbashkët se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi duhet të ndërlidhet ngushtë me procesin e anëtarësimin e Serbisë në BE.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për Radio Kosovën, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer.

Sipas tij, krijimi i Qeverisë së re Gjermane e dalë nga zgjedhjet e 22 shtatorit, nuk do të ndikojë në raportin e këtij shteti me vendet e rajonit të Ballkanit.

“Kemi një situatë kur Këshilli Europian ka marrë një vendim me të cilin fillimi i negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, në janar të viti tjetër, kushtëzohet me zbatimin e plotë të marrëveshjes së 19 prillit. Ky është vendim i Këshillit Evropian, i cili në dhjetor, do të verifikojë nëse Serbia ka zbatuar marrëveshjen e 19 prillit dhe vetëm nëse konstatohet zbatimi i marrëveshjes, atëherë do të fillojnë negociatat për anëtarësim me Serbinë”, ka thënë Blomeyer, për Radio Kosovën.

“Gjermani dhe Britania e Madhe kanë qëndrim të përbashkët se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën duhet të ndërlidhet ngushtë me procesin e anëtarësimin e Serbisë në BE, sepse ato duan të shmangin situata të cilat do të sillnin dështimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”.

“Pra, ato angazhohen për një sinkronizimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe procesit të anëtarësimit në BE. Kjo do të thotë se deri në ditën e anëtarësimit të Serbisë në BE, Serbia duhet të zgjidhë të gjitha problemet ekzistuese me Kosovën, të ketë normalizuar plotësisht marrëdhëniet fqinjësore në atë mënyrë që të mos ketë mbetur pa zgjidhur as edhe një problem”.

“Për këtë qëllim është paraparë një kapitull i veçantë, “Kapitulli 35” me të cilin do të përcillet normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Gjermania, ndërkaq, është e mendimit që çështja e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën të përcillet në kontinuitet edhe përmes kapitujve tjerë, jo vetëm përmes kapitullit 35, sepse ne nuk duam që me pas të na ndodhin befasi”.

“Jemi të vetëdijshëm që kjo kërkon kohë dhe nuk duam që një ditë të vijmë në një situatë kur procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE të përmbyllet, ndërsa të mbetet prapa procesi i normalizimi të marrëdhënieve me Kosovën. Kjo nuk është në interesin e Serbisë, të Kosovës dhe as të Bashkimit Evropian. Prandaj, për të shmangur këtë situatë, të dy proceset: normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe ai i anëtarësimit të Serbisë në BE, duhet të ecin paralelisht dhe të kushtëzuar me njëri-tjetrin”.