Gjermania shmang një sulm terrorist

Në Gjermani arrestohen 6 refugjatë pjesë e një celule të ISIS

Bota

21/11/2017 23:44

Në Gjermani është shmangur një sulm terrorist. Mësohet se policia ka arrestuar 6 refugjatë sirianë që bënin pjesë në një celulë të ISIS, e cila dyshohet se po organizonte një sulm terrorist në qytetin Hesen.

Gjashtë refugjatët e arrestuar në katër qytete të ndryshme të Gjermanisë, po planifikonin një atentat terrorist në një treg Krishtlindjesh në Hesen.

Lajmi është raportuar nga media të ndryshme lokale, mes të cilave edhe “Berliner Morgen Post”. Sipas prokurorit të shtetit, Kristian Hartuig, 6 të arrestuar kishin ndërtuar një celulë të ISIS. Atentati ishte planifikuar me armë dhe eksplozivë, por organizimi i planit nuk është përmbyllur fatmirësisht. Ata kishin mbërritur në Gjermani me identitet të rremë.

Prokurori i përgjithshëm i Frankfurtit shpjegon se të arrestuarit që mbërritën në tokën gjermane mes 2014 dhe 2015 janë të moshës 20 deri në 28 vjeç. Gjatë operacionit të forcave të rendit janë kontrolluar 7 apartamente, raporton “Berliner Morgen Post”. Sipas informacioneve të para të gjithë të arrestuarit janë sirianë.

Ndërkohë, hetuesit kanë rënë në gjurmët e celulës terroriste përmes indikacioneve të refugjatëve të tjerë. Vëmendja e mediave për këtë çështje është shumë e lartë, pasi vjen më pak se një vit pas masakrës së 19 dhjetorit të kaluar, ku në një treg Krishtlindjesh në Berlin humbën jetën 12 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.