Gjermania nuk dëbon dot truprojën e Bin Ladenit

Rasti i Sami A. po trazon Gjermaninë. Tuniziani i përfolur si truproja e Bin Ladenit ka jetuar me familjen me ndihma sociale. Dëbimi i tij, i shtyrë me vite u krye, por tani ai duhet të rikthehet në Gjermani. Po pse?

Bota

17/07/2018 10:38

Sami A. i dyshuar si truproja e Osama Bin Ladenit, islamist, i kategorizuar nga autoritetet gjermane si “i rrezikshëm”, pra që mund të kryejë atentate terroriste jeton prej vitesh në Gjermani, në Bochum me gruan dhe fëmijët duke marrë kontributet sociale të shtetit. Ai njihej si predikues salafist. Në vitin 2000  me gjasë ai ka marrë pjesë në një trajnim luftarak në kampet e Al-Kaidës në Afganistan dhe pjesërisht ka bërë pjesë edhe në truprojën e Osama Bin Ladenit. Këto akuza Sami A. i ka hedhur gjithmonë poshtë. Ndaj tij ishte hapur një procedurë penale në Gjermani, por shkak të mungesës së provave, ajo ishte pezulluar sërish.

Kërkesa e Sami A. për azil ishte refuzuar prej kohësh, ai duhej të dëbohej nga Gjermania që në vitin 2014, por për shkak se në Tunizi atë e kërcënonte tortura, dëbimi i tij ishte shtyrë. Pas heqjes së ndalimit të dëbimit në qershor 2018 ai u kalua në paraburgim para dëbimit. Në një aksion të shpejtë tuniziani arriti të dëbohej në vendlindje të premten (13.07) dhe iu dorëzua autoriteteve në vend. Ministria e Brendshme e konfirmoi dëbimin. Por një gjykatë gjermane kërkon ta zhbëjë dëbimin dhe kthimin e tij në Gjermani për shkak të shkeljeve juridike.

Nuk ka garanci se Sami A. nuk torturoret

Çfarë ka ndodhur? Sami A., ashtu si edhe vite më parë kundër dëbimit u mbrojt me një kërkesë të shpejtë në Gjykatën Administrative në Gelsenkirchen. Kjo gjykatë e gjykoi të enjten (12.07) dëbimin si “shkelje të rëndë të ligjit dhe parimeve bazë të shtetit ligjor”. Nuk ka garanci diplomatike të qeverisë tuniziane, që ai nuk kërcënohet nga tortura, thuhet. Prandaj ai duhet të kthehet në Gjermani, tha gjykata përkatëse. Por ndërkohë vendimi i gjykatës mbërrin tek autoritetet përgjegjëse, të premten në mëngjes, në një kohë kur avioni me Sami A. ishte ngritur në ajër. Zyra e të huajve në Bochum si edhe Ministria e Refugjatëve në Landin Renani Veriore-Vestfali do të bëjnë ankimim kundër këtij vendimi.

Nga ana e saj drejtësia tuniziane bëri të qartë, se kompetencën për Sami A. tani e ka ajo. “Ky rast i përket drejtësisë tuniziane”, bëri të ditur një zëdhënës i prokurorisë anti-terror./DW