Gjermania në alarm nga rritja e numrit të azilkërkuesve

Në vitin 2013, numri i azilkërkuesve nga Bosnja dhe Hercegovina në Gjermani është rritur për 104 për qind, ndërsa i atyre nga Kosova për 74.5 për qind, por ka të ardhur edhe nga Rusia, përfshirë edhe Çeçeninë.

Bota

08/03/2014 21:11

Gjermania ka tërhequr më së shumti azilkërkues politikë se çdo shtet tjetër i bashkimit Europian, por tani fluksi masiv i tyre po e tendos sistemin, me shumë strehimore të stërmbushura të Berlinit që kanë ngritur alarmin.

Ardhjet, shumica nga Europa Lindore, kanë kërcyer në dy të tretat në vitin 2013, që paraqet nivelin më të lartë në 14 vjetët e fundit, edhe pse aplikuesit kanë pak gjasa që të pranohen si refugjatë politikë.

Në një shtëpi rezidenciale në periferi të kryeqytetit gjerman, një familje gjashtë anëtarëshe nga Bosnja dhe Hercegovina tani ndan një dhomë spartane me vetëm 25 metra katrorë.

Familja rome, e cila provoi ta lë prapa një jetë të përshkuar me varfëri dhe diskriminim në Bosnjë, tani e mbyt kohën vetëm me gjërat elementare: një shtrat, një tavolinë dhe një divan të rrënuar.

Streha e tyre e përkohshme, një shtëpi pleqsh rrëzë pyllit, ishte planifikuar të mbyllej në mes të prillit. Por për shkak të fluksit të fundit të azilkërkuesve, tani pritet që të mbetet e hapur edhe për një kohë më të gjatë.

Përgjatë qytetit, në blloqet e larta të Lichtenberg në ish Berlinin Lindor, njerëz nga 18 shtete jetojnë në një magazinë e cila është shndërruar në qendër të azilkërkuesve para më shumë se dy vjetëve.

“I kemi 350 vende në qendër por aktualisht kemi 360-370 njerëz”, tha drejtoresha e kësaj qendre, Birgit Bauer.

“Disa familje të cilat jetojnë në kushte të rënda janë pajtuar që të marrin më shumë njerëz brenda apartamenteve të tyre”, tha ajo.

Që nga viti 2010, numri i azilkërkuesve në Gjermani është rritur ndjeshëm.

Vitin e kaluar, numri u rrit për 64 për qind, në 127.023 aplikues. E në janar numri u rrit për një shifër rekord prej 76.7 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas shifrave të Zyrës për Emigracion.

Vendi kryesor i origjinës së azilkërkuesve ishte Serbia me më shumë se 18 mijë aplikime,, me 40 për qind në vitin 2012. Rreth 90 për qind prej tyre ishin romë.

Shumë nga ta kanë ardhur nga Bosnja dhe Hercegovina, me një ngritje prej 104 për qind në 2013, dhe nga Kosova me ngritje prej 74.5 për qind, por ka të ardhur edhe nga Rusia, përfshirë edhe Çeçeninë.

“Shumë njerëz nga ish- Jugosllavia gjetën strehim në Gjermani gjatë luftës së fillimviteve 1990. Tani ata po kthehen me familjet e tyre dhe, në kërkim të një jete më të mirë, e shohin Gjermaninë si shpresën e fundit”, tha Bauer.

Shtetasit e Serbisë, Malit të zi dhe Maqedonisë, një shtet tjetër me shumë azilkërkues, që nga viti 2009 mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

(AFP)