Gjermania ndihmon FSK-në me 44 automjete dhe pajisje tjera
U mbajt aktiviteti i pranim-dorëzimit të donacionit të KFOR-it gjerman, dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës në vlerë prej 329.281.78 euro.
Lajme
Në këtë donacion përfshihen 44 automjete dhe pajisje të tjera.
Gjenerali Rrahman Rama, pas marrjes së donacionit nga KFOR-i gjerman, tha se Gjermania ishte ajo që e ndihmoi FSK-në në fillimet e ngritjes së saj.
Sipas tij, FSK-ja është institucioni më i besueshëm në vend.
“Ishte Gjermania ajo që në fillim të ngritjes së FSK-së në vitin 2009, na ndihmoi. Automjetet që po i marrim sot do të jenë në nivel të rritjes së transportit të FSK-së. FSK-ja është institucioni më i besueshëm në vend. Do të vazhdojmë të jemi shembulli më i mirë në rajon. Jam krenar për vajzat dhe djemtë tanë”, ka thënë Rama.
Ndryshe, në fund të këtij viti, pas një qëndrimi prej gati dy dekadash në Prizren, përfundon përdorimi i Kampit Fushor nga ana e ushtarakëve gjermanë, të cilët misionin e tyre e kryejnë në kuadër të Trupave Paqeruajtëse të NATO-së.
Përkundër tërheqjes nga Prizrenit, Kontingjenti gjerman do të mbetet edhe më tutje në kuadër të KFOR-it.
Në këtë kontekst me 2019 do të jenë të stacionuar në Prishtinë, rreth 70 ushtarë gjerman.
Kështu Gjermania do të mbetet e pandryshuar në listën e dhjetë vendeve me praninë më të madhe të ushtarëve në kuadër të misionit të KFOR-it.