Gjermania: Kushti për Serbinë, zbatimi i plotë i marrëveshjes së Brukselit

Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është kushti i vetëm për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, ka deklaruar ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Heinz Wilhelm, në intervistën për gazetën beogradase Blic.

Lajme

21/12/2014 11:29

Megjithatë, z. Wilhelm tha se “ne nuk kërkojmë që Serbia ta njohë Kosovën”.

Ai ka theksuar se kapitulli 35, i cili ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, nuk do të hapet derisa Marrëveshja e Brukselit të mos zbatohet në tërësi.

Sipas tij, “nuk ekzistojnë kurrfarë kushtesh gjermane që paraqiten para Serbisë, në rrugën e saj për në Bashkimin Evropian”, kurse “në mesin e 11 kushteve, që janë paraqitur në media, gjenden disa nga pikat e Marrëveshjes së Brukselit, të cilat nuk janë implementuar”.

Ambasadori gjerman në Beograd, Heinz Wilhelm tha se dy pikat më të rëndësishme të marrëveshjes, që nuk janë implementuar, janë integrimi i organeve të drejtësisë në pjesën veriore të Kosovës në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe formimi i Bashkësisë së komunave serbe, transmeton REL.