Gjermania i shet nëndetëse Izraelit – e kontribuon me një pjesë të çmimit

Përfundimi i këtij biznesi armatimi qe bllokuar për disa muaj, edhe për shkak të një afere korrupsioni në Izrael. Tani marrëveshja u bë. Taksapaguesit gjerman ajo i kushton më shumë se gjysmë miliardi euro.

Bota

24/10/2017 09:51

Një marrëveshje përkatëse qeveritare për dërgimin e tri nëndetëseve marinës së Izraelit do të nënshkruhet të hënën, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert. Detajet e marrëveshjes janë konfidenciale. Seibert tha se qeveria gjermane i ka mbajtur parasysh “të gjitha pikat me rëndësi” në marrëveshje.

Gjermania jo vetëm shet, por edhe jep mbështetje financiare në marrëveshjen për nëndetëset, që besohet se kap shumën e 1,5 miliardë eurove. Kjo argumentohet me faktin se Republika Federale ndihet veçanërisht përgjegjëse për sigurinë e shtetit Izrael. Kontributi financiar vlen si kontribut për mbrojtjen dhe për sigurimin e ekzistencës së Izraelit, u bë e ditur në Berlin. Bëhet fjalë për shitjen e tri nëndeteseve të Sistemeve të Marinës ThyssenKrupp (TKMS) në Kiel. Nëndetëset e klasës Dolphin mund të pajisen nga Izraeli edhe me armë atomike. Nëndetëset e reja do të hyjnë në shërbim në vitin 2027 dhe do të zëvendësojnë tri modele më të hershme.

Deutschland U-Boot Werft ThyssenKrupp Marine Systems Kiel (picture-alliance/dpa/C. Charisius)

Kontributi financiar gjerman: rreth 540 milionë euro

Qeveria gjermane do të mbështesë biznesin e nëndetëseve me Izraelin financiarisht me rreth një të tretën e shumës së blerjes. “Shuma maksimale është 540 milionë euro”, i tha zëdhënësi i qeverisë Seibert agjencisë së lajmeve Reuters. Fjala është për rreth 30 përqind të vëllimit të biznesit. Shuma prek buxhetet federale të Gjermanisë të viteve 2018 deri 2027.

Klauzolë tërheqjeje nga marrëveshja

Zyra kancelarore fillimisht në qershor e ndaloi shitjen e nëndetseve të ThyssenKrupp-it Izraelit, për shkak të dyshimeve për ryshfet dhe hetimeve për korrupsion në Izrael. Sipas raporteve të medieve izraelite, marrëveshja e re me qeverinë gjermane përmban edhe një klauzolë tërheqjeje nga marrëveshja, për rastin se do të konfirmohet dyshimi për vepra penale.

Hetuesit e korrupsionit në Izrael patën arrestuar në kuadër të hetimeve partnerin izraelit të TKMS, Miki Ganor. Më tej ata arrestuan ish-shefin e zyrës së kryeminisrit izraelit, Benjamin Netanjahu dhe një ish-bashkëpunëtor të tij. Arrestimet u bënë ndër të tjera edhe për shkak të dyshimit për larje parash dhe për mashtrim, u bë e ditur në korrik në Izrael. Fillimisht nën presion ishte edhe vetë Netanjahu. Atë e akuzuan se e kishte imponuar marrëveshjen për nëndetësen kundër dëshirës së ushtrisë dhe të ministrisë së Mbrojtjes./DW