Gjermania i kërkon Kosovës të sekuestrojë pasurinë ilegale

Përfaqësues nga Zyra Federale Gjermane kundër Kriminalitetit kanë kërkuar bashkëpunim konkret nga Qeveria e Kosovës për të luftuar rrjetet e krimit të organizuar në Kosovë dhe konfiskimin e pasurive të tyre krijuar nga ky aktivitet ilegal.

Lajme

18/04/2014 12:49

Burime nga Qeveria e Kosovës thanë për dtt-net.com se përfaqësuesit gjermanë kanë qëndruar në Prishtinë dhe janë takuar me zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë të ngarkuar për konfiskimin dhe menaxhimin e pasurisë së fituar në mënyrë ilegale dhe me zyrtarë nga Policia e Kosovës nga i njëjti sektor.

“Gjermanët u interesuan për bazën ligjore të krijuar në Kosovë për funksionimin e organeve përkatëse dhe punën e deritashme të bërë nga organet përkatëse të Qeverisë së Kosovës në konfiskimin dhe menaxhimin e pasurisë së krijuar në mënyrë ilegale”, kanë bërë të ditur këto burime.

“Dy palët kanë shprehur gatishmëri për të krijuar forma të bashkëpunimit konkret në këtë drejtim, duke pasur parasysh nivelin e lartë të krimit të organizuar në Kosovë dhe lidhshmërinë e këtyre rrjeteve vendore në shtetet e BE-së, e në këtë rast edhe në Gjermani”.

Interesimi i qeverisë gjermane vjen në kohën kur BE-ja dhe vendet e saj janë duke i rritur përpjekjet për konfiskimin e pasurive të krijuar në mënyrë ilegale nga rrjetet kriminale rajonale me disa pjesëtarë të mërgatës ballkanike nëpër vendet e BE-së, përfshirë këtu edhe ata nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Në fund të vitit të kaluar Belgjika dhe Holanda kanë bërë disa konfiskime të pasurive të krijuara nga mërgimtarë kosovarë përmes krimit të organizuar në këto dy shtete. Pasuria e tyre është konfiskuar edhe në këto dy shtete, por edhe ato të krijuara apo dërguara në Kosovë dhe Shqipëri nga ky aktivitet.

Vizita e përfaqësuesve të BKA-së gjermane bëhet në të njëjtën kohë kur në Prishtinë agjensionet e vendeve të Ballkanit për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar dhe sekuestruar u pajtuan për të krijuar një forum të përbashkët dhe të rregullt të këtij sektori të rëndësishëm për luftimin e krimit të organizuar në rajon.