Gjermania i jep Kosovës grant në vlerë prej 17 milionë euro

Qeveria e Republikës së Kosovës në vazhdën e bashkëpunimit financiar të realizuar ndër vite me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë si partner i rëndësishëm bilateral për asistencë financiare dhe teknike, ka nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim Financiar 2015 (“Projekti i subvencioneve”), e cila marrëveshje u nënshkrua sot nga ministri i Financave Avdullah Hoti dhe ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets.

Lajme

15/12/2015 10:16

Marrëveshja për Bashkëpunim Financiar për vitin 2015 për dallim nga viti i kaluar ku kishte edhe kredi, përfshinë vetëm pjesën grant në vlerë prej 17 milionë euro për financimin e disa projekteve të rëndësishme, siç janë:

  1. „Mbështetja e sektorit të energjisë, faza e VIII – Përmirësimi i sistemeve të ngrohjes komunale në Prishtinë“, në vlerë prej pesë milionë euro, projekt ky i cili mundëson zgjerimin e rrjetit të Termokosit në Komunën e Prishtinës (këtu presim që edhe BE-ja të ndaj nga fondet IPA edhe nëntë milion, një milion do të jenë nga ndërmarrja dhe Komuna e Prishtinës duke e sjellë totalin e projektit për zgjerim në 15 milionë euro). Termokosi është një storie e suksesit ku Qeveria, komuna, donatorët dhe kreditorët jemi bashkuar dhe tani kemi një rezultat ku ndërmarrja nga subvencionet tani ka përmirësuar kualitetin e shërbimit për qytetarë dhe mund të kontribuoj në zgjerim të rrjetit me afarizmin që po e zhvillon;
  2. „Shkarkimi i ujërave të zeza në jug-perëndim, faza e pestë“, në vlerë prej tetë milionë euro. Ky projekt mundëson incizimin e rrjetit me metodë të avancuar të Geographic Information Systems (GIS) që do të mundësoj edhe ndarjen e ujërave atmosferike nga ujërat e zeza për Komunat e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, në të cilat qytete impiantet për trajtimin e ujërave të zeza veçse janë duke u ndërtuar me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, si dhe
  1. “Programi për menaxhimin e mbeturinave”, në vlerë prej katër milionë euro, projekt ky i cili do të ndihmoj komunat e përzgjedhura nga GIZ-i që të investojnë në menaxhim të mbeturinave. Ky projekt ka për qëllim zvogëlimin e numrit të deponive joformale të mbeturinave në Kosovë dhe përmirësimin e nivelit të riciklimit të mbeturinave. Projekti përfshin masat që synojnë strukturimin, grumbullimin, riciklimin dhe asgjësimin e mbeturinave. Nga ky projekt pritet që në veçanti të përfitojnë komunitetet e vogla që shpesh janë nga komunitetet pakicë, e të cilat në mënyrë jo formale janë të angazhuara në sektorin e mbeturinave. Pra, një nga qëllimet tjera të këtij projekti është që të lëvizet në punësim formal në këtë sektor.

Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se “Ministria e Financave në vazhdën e bashkëpunimit financiar të realizuar ndër vite me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë si partner i rëndësishëm bilateral për asistencë financiare dhe teknike, ka paraparë nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim financiar për vitin 2015. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është i nevojshëm si rezultat i mungesës së marrëveshjes kornizë, e cila do të definonte bazën për negocimin e çdo marrëveshje financiare me këtë Qeveri, dhe me këtë rast ju njoftoj se arritja e marrëveshjes kornizë me shtetin gjerman veçse është në proces”.

“Këto projekte paraqesin rëndësi të madhe për vendin dhe qytetarët e saj. Andaj pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, pritet nënshkrimi i marrëveshjeve të veçanta financiare për grant për këto projekte të lartë përmendura”, tha Ministri Hoti.

Ai gjithashtu theksoi se “ Së bashku me Qeverinë Gjermane jemi në përmbyllje të procesit për finalizimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes kornizë, konkretisht negociatat janë përfunduar dhe jemi në pritje të konfirmimit të draftit final të marrëveshjes nga ana e Qeverisë Gjermane. Andaj, shfrytëzoj rastin që të falënderoj Ambasadoren dhe stafin e saj për bashkëpunimin e shkëlqyer të ofruar gjatë të gjitha këtyre proceseve.

Ndërsa, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets, tha se “Përmes këtyre projekteve Gjermania dëshiron të përkrahë Republikën e Kosovës të ofrojë perspektivë për qytetarët e saj në vendin e tyre. Furnizimi stabil me ujë dhe furnizimi i pandërprerë me ngrohje gjatë dimrit janë shërbime të rëndësishme për qytetarët e Kosovës“.