Gjermania e vendosur të ndihmojë Kosovën

Peter Blomeyer, në përfundim të mandatit të ambasadorit në Prishtinë, premtoi se Gjermania do të vazhdojë të mbetët përkrahëse e Kosovë në shumë sfera. 

Lajme

09/07/2014 13:34

Gjermania do të vazhdojë të ndihmojë edhe më tutje Kosovën në shtetëndërtimit dhe në rrugën e integrimeve europiane.

Këto premtime i ka dhënë sot Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer, gjatë një takimi lamtumirës me Kryeministrin në detyrë, Hashim Thaçin.

Thaçi ka shprehur falënderimin për bashkëpunimin e mirë të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë, dhe për mbështetjen që qeveria gjermane ka ofruar për proceset demokratike në Kosovë dhe në ndërtimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës.

Duke konsideruar Gjermaninë si një shtet mik të Kosovës dhe njërin nga partnerët strategjik të saj, kryeministri ka shprehur angazhimin dhe përkushtimin e institucioneve shtetërore të Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin në mes të dyja vendeve.

Ambasadori gjerman, i cili është në përfundim të mandatit,  është falënderuar për mikpritjen dhe bashkëpunimin e mirë me institucionet dhe Qeverinë e Kosovës dhe ka theksuar gatishmërinë e Gjermanisë për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në proceset e ardhshme të shtetëndërtimit dhe të agjendës së integrimeve evropiane të Republikës së Kosovës.