Gjermania do t’i kthejë brenda javësh të ikurit nga Kosova

Ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës se ata që po migrojnë nga Kosova, po mashtrohen sepse nuk mund të përfitojnë strehim në Bashkimin Evropian.

Lajme

11/02/2015 20:00

Sipas saj, brenda pak javësh Kosovën e pret vala e kthimit të atyre që muajve të fundit kanë emigruar në rrugë të paligjshme në vendet e BE-së.

Viets ka thënë se vendi i saj është përballur me shumëfishim të numrit të azilkërkuesve nga Kosova, të cilët nuk kanë pothuajse asnjë mundësi që të sigurojnë qëndrim në Gjermani.

“Në muajin nëntor të vitit 2014, ishin 600 veta, në dhjetor ishin 1,956, kurse në janar 3,630 persona. Përqindja e atyre që mund të përfitojnë është 1.1 apo 1.2 për qind. Kjo do të thotë se presim një valë të kthimeve brenda pak javësh dhe kjo do të jetë një sfidë për Qeverinë e Kosovës”, ka porositur ambasadorja gjermane Viets.