Gjermania do të inkurajojë bizneset e veta që të investojnë në Kosovë

Ministri gjerman për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik, Gerd Müller gjatë takimit në Berlin, me ministrin e Financave të Kosovës, Besim Beqaj, ka theksuar se Gjermania sikurse edhe deri më tani do të vazhdojë të përkrah Kosovën dhe do t’i inkurajoj bizneset që të investojnë në vendin tonë duke theksuar se samiti i djeshëm ishte sinjal i qartë për përkushtimin e Gjermanisë për Kosovën dhe rajonin.

Lajme

29/08/2014 17:27

Ministri Beqaj falënderoi Ministrin e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik të Republikës Federale të Qeverisë gjermane z. Gerd Müller për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria gjermane për të mbështetur aspiratat euro-atlantike të vendit dhe theksoi se gjatë 15 viteve në kuadër të bashkëpunimit teknik dhe financiar Qeveria gjermane ka investuar më shumë se 420 milion euro. 

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Financave, gjatë takimit u bisedua për realizimin e projekteve për furnizim me ujë të pijshëm për ujësjellësin rajonal Prishtinën, ko-gjenerimin për ngrohtoren e Prishtinës dhe Gjakovës, trajtimin e ujërave të zeza në Prizren, Gjakovë dhe Pejë, realizimin e linjës së transmisionit me Shqipërinë dhe modernizimin e sistemit të transmisionit të Kosovës. 

Ministri Beqaj falënderoj Ministrin Müller për mbështetjen teknike në arsim, financa publike, administratë, shoqëri civile, kadastër dhe fushat tjera. 

Njëkohësisht, ministri e njoftoj ministrin Müller për zhvillimet aktuale ekonomike në vendin tonë, si dhe për reformat e ndërmarra në drejtim të forcimit te rendit dhe ligjit dhe rritjes së konkurueshmerisë së ndërmarrjeve kosovare. 

Ministri Beqaj e ftoi ministrin Müller për vizitë në Kosovë gjatë negociatave bilaterale që parashihet të mbahen në nëntor të këtij viti, me ç’rast do të shënohet 15 vjetori i bashkëpunimit bilateral Kosovë – Gjermani.