Gjermani, kapen edhe 30 kosovarë ilegalë

Numri i shtetasve të Kosovës që përmes Austrisë po hyjnë ilegalisht në Gjermani , gjatë këtij muaji ka shënuar rritje të madhe. Kështu, siç bën të ditur Policia Federale e Gjermanisë në Rosenheim, vetëm të hënën janë kapur sërish 30 kosovarë të ardhur në Gjermani pa dokumente të vlefshme.

Lajme

23/12/2014 20:36

Policët e angazhuar për ndjekjen e kontrabandës me qenie njerëzore, në trenin që udhëton nga Salzburgu në Munih kanë hasur në 21 shtetas kosovarë, dy prej të cilëve fëmijë. Asnjëri prej tyre nuk posedonte dokumente të vlefshme qëndrimi në Gjermani. Vetëm pak orë më parë, policët kishin  kontrolluar një tren nga Austria, me ç`rast kishin gjetur një grup prej shtatë personash, po ashtu nga Kosova, të cilët nuk kishin viza qëndrimi në Gjermani.

Një pjesë e personave të kapur nga policia do të detyrohen ta lëshojnë Gjermaninë pasi që, sipas policisë, ata tashmë kanë bërë një kërkesë azili në Hungari, thuhet në një komunikatë të Policisë Federale të Gjermanisë. Ata që kërkesën për azil e kanë bërë tash, për herë të parë në Gjermani, janë dërguar në qendrën e pranimit të azilkërkuesve.

Para këtyre dy rasteve, vetëm gjatë fundjavës që shkoi, në trena që udhëtonin nga Austria për në Gjermani janë kapur rreth 40 kosovarë pa dokumente të nevojshme për qëndrim, transmeton albinfo.ch.