Gjermani-Austri, patrullime në kufi kundër emigrantëve

Nga 1 qershori, policia federale austriake, ajo gjermane dhe policia e landit të Bavarisë kanë nisur për herë të parë kontrollet me patrulla treshe në zonën kufitare mes të dy vendeve.

Bota

02/06/2018 14:11

Fokusi është në vendkalimin Austri-Itali-Brenner, aty ku ka pasur dhe probleme më të mëdha me emigrantët. Ndonëse normalisht në hapësirën “Schengen” nuk duhet të ketë kontrolle kufitare, mjaft shtete të BE-së i kanë zgjatur masat e verifikimeve në kufi, në kundërshtim me dëshirën e Komisionit Europian.

Kontrollet e përbashkëta, sipas tyre, përforcojnë gjithmonë e më shumë veprimet kundër krimit dhe emigracionit të paligjshëm.

Bilanci i parë i kësaj nisme do të bëhet pas 3 muajsh. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë Federale në Mynih, Thomas Borowik sqaroi se konsiderohet në mënyrë të veçantë e rëndësishme që të ketë një koordinim të masave në zonat kufitare.

Patrullat do të kontrollojnë intensivisht, sidomos trenat e mallrave. Vitin e kaluar, përmes tyre kaluan në zonën e Mynihut rreth 1.000 refugjatë.

Në zonën “Schengen” të 26 vendeve europiane kontrollohen zakonisht vetëm kufijtë e jashtëm. Megjithatë, që nga kriza e refugjatëve në vitin 2015, Gjermania dhe vendet e tjera kanë rivendosur kontrollet edhe në kufijtë e tyre të brendshëm.

Kundër dëshirës së Komisionit Europian, këto kontrolle do të vazhdojnë edhe për 6 muaj të tjerë, nisur nga maji.