Gjergji: Pagëzimet për Pashkë nuk u bën për të provokuar të tjerët

Shtatë persona u pagëzuan mbrëmë në katedralen “Nëna Tereze” në Prishtinë, por Don Lush Gjergji, zëvendës i Ipeshkvit të Kosovës, thotë se ky veprim nuk është bërë për të provokuar të tjerët.

Lajme

05/04/2015 14:22

Sipas Gjegjit, ngjarje të tilla ndodhin në gjithë botën prej 2 mijë vjetësh. Pagëzimet nuk i kemi bërë për spektakle, kamera apo televizione.

Në pyetjen e Gazetës Express, se sa persona janë konvertuar për festën e Pashkëve në Prishtinë, ai u përgjigj se “diku shtatë”.  “Por, me këtë merret Don Jeton Thaçi, i cili është person që merret me përgatitjen e kësaj ceremonie…Të rritur për çfarëdo arsye me prejardhje të krishterë apo jo të krishterë, të cilët duan të pagëzohen, pagëzohen të shtunën e madhe të Natës së Pashkëve. Këtë traditë e ka Papa në Romë dhe në të gjitha katedralet. Kuptohet ku ka të rritur. Ku nuk ka të rritur atëherë merren fëmijët nga familjet e krishtera dhe i pagëzojnë gjatë asaj nate”, tha Gjergji.

Papa Françesku ka thënë kohë më parë se në vend të spektakleve religjioze, duhet të japim shembuj të mirë. A po jepni shembull të mirë me këto konvertime?, ishte pyetja tjeter e gazetës Express.

“Jo, vetëm Papa, por të gjithë duhet të japim shembuj të mirë. Por, duhet ta definojmë çka do të thotë spektakël, sepse edhe meshat e Papës dhe udhëtimet e tij transmetohen. Janë çështje nga këndvështrime të ndryshme. Por, një gjë është e sigurt se ne këtë nuk e bëjmë as për spektakël, as për televizion, por e bëjmë si një mundësi dhe një detyrë për ata që janë të përgatitur dhe duan ta pranojnë krishterimin dhe ta përqafojnë pagëzimin”, tha don Lush Gjergji.