Gjergj Dedaj nuk ia kthen Laptopin ministrisë

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj ende nuk e ka kthyer një loptop në ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal ku ishte zv.ministër.

Lajme

17/05/2018 16:14

KALLXO.com merr vesh që Dedaj, pas shumë presioneve të ministrisë për kthimin e pasurive, e ka kthyer një loptop që nuk ka qenë në pronësi të ministrisë.

“Ai poashtu ka kthyer një lap-top, por që kodi i regjistrimit në evidencën e pasurisë nuk korrespondonte me specifikat konkrete, prandaj kemi kërkuar që të ktheje lap-topin e njëjtë i cili është i regjistruar në librat e pasurisë së MAPL. Dmth, aktualisht ka në posedim një lap-top të cilin akoma nuk e ka kthyer”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të MAPL-së.

KALLXO.com e ka kontaktuar Dedajn, por ai nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Dedaj rrezikon edhe të ndiqet penalisht, nëse nuk i kthen pajisjet, edhe pse kërkesat për kthim i kanë shkuar vazhdimisht.

“Në rast të moskthimit të pasurisë do të aplikohen procedurat ligjore”, thuhet tutje në përgjigjen e MAPL-së për KALLXO.com

Dedaj për një kohë të gjatë nuk i kishte përfillur kërkesat e MAPL-së për kthim të pasurive që i ka poseduar gjatë kohës sa ka qenë pjesë e kësaj ministre.

MAPL në një përgjigje për KALLXO.com thotë se fillimisht kërkesën për kthim të pasurive ua kishte dërguar Gjergj Dedajt në shtator të vitit të kaluar kur edhe kishte përfunduar mandati i qeverisë së kaluar, por ai nuk i’u kishte përgjigjur këtyre kërkesave.

Ndërsa kur dy muaj më vonë, Gjergj Dedaj u emëruar zëvendës ministër në MPJ, zyrtarët e MAPL-së i kishin njoftuar zyrtarët e MPJ-së, se Gjergj Dedaj “është në borxh” ndaj MAPL-së.

Vetëm pas presioneve përmes ministrisë ku aktualisht është i emëruar si zv.ministër, Dedaj ju ka përgjigjur thirrjeve të ministrisë. Ai e ka kthyer telefonin e mençur me gjashtë muaj vonesë.

“Me rastin e emërimit të tij në pozitën e zëvendësministrit në MPJ, MAPL ka njoftuar MPJ-në për pasuritë që i posedon z. Dedaj dhe për të cilat nuk i ka kthyer. Pas kërkesës së fundit paralajmëruese që MAPL ka adresuar me datë 4 Prill 2018 lidhur me obligimet e tij,  z. Dedaj e ka kthyer telefonin e llojit “Samsung Galaxy 6””, thuhet në përgjigjet e zyrës për informim të MAPL-së.